Takimin e drejtoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili u shpreh se institucioni që ai udhëheq ka qenë pararojë në revolucionin e mënyrës së përdorimit të shërbimeve financiare në vend. Ai theksoi rëndësinë e promovimit të pagesave digjitale përmes teknologjisë, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Guvernatori Sejko vuri në dukje se ulja e përdorimit të parasë në dorë është një proces i dëshiruar, pasi nxit formalizimin e ekonomisë, ul evazionin fiskal, përmirëson sigurinë dhe mbështet integrimin evropian. Ai bëri thirrje për krijimin e infrastrukturave të përshtatshme, kuadër rregullator të qartë dhe rritje të njohurive financiare për publikun, duke ftuar bankat të jenë më proaktive në këto drejtim.
Një tjetër lajm i rëndësishëm është nisja e operacionalizimit të pagesave ndërkufitare në skemat SEPA më 7 tetor 2025, të cilat do të ofrojnë pagesa më të shpejta dhe më të lira në marrëdhëniet financiare me vendet e Bashkimit Evropian.
Njoftimi i plote
Në datën 22 shtator 2025, në ambientet e Bankës Shqipërisë, u mbajt një takim diskutimi midis Bankës së Shqipërisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Takimi u organizua nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe të pranishëm ishin drejtues të lartë të Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit Drejtues të SHSHB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, z. Bledar Shella, si dhe anëtarët e tjerë të këtij Bordi.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, për çështje të lidhura veçanërisht me zhvillimet në sistemet e pagesave, digjitalizimin e sektorit bankar, promovimin e pagesave elektronike, nisjen e operacionalizimit të pagesave ndërkufitare në skemat SEPA, investimin në infrastruktura të reja dhe moderne të sistemeve të pagesave, si dhe mbikëqyrjen e sistemit bankar.
Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë pararojë në revolucionin që po ndryshon mënyrën se si aksesojmë dhe ndërveprojmë me shërbimet financiare. Si autoritet rregullator, nga njëra anë, ajo promovon aktivisht teknologjinë që nxit përdorimin e pagesave digjitale, dhe nga ana tjetër, siguron mbrojtjen e nevojshme për konsumatorin, stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare.
Guvernatori nënvizoi se është bërë një progres i dukshëm si rrjedhojë e masave të marra deri tani nga Banka e Shqipërisë dhe aktorët e tregut, për rritjen e nivelit të përdorimit të pagesave elektronike për frymë.
Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave është rritur me ritme dyshifrore. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 4 pagesa për frymë në vitin 2016. Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% që ishte në vitin 2017.
Në këtë drejtim, një datë e rëndësishme është 7 tetori 2025, kur do të nisë operacionalizimi i pagesave ndërkufitare në skemat SEPA, të cilat janë disa herë më të lira dhe më të shpejta sesa pagesat ndërkufitare që kryhen sot me bankat korrespondente. Guvernatori shtoi se krijimi i një faciliteti të tillë do të rrisë përdorimin e rrugëve digjitale për pagesat ndërkufitare, të paktën me vende të Bashkimit Evropian, me rrjedhoja pozitive zinxhir për ekonominë shqiptare.
Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se kalimi drejt pagesave digjitale, dhe rrjedhimisht ulja e përdorimit të cash-it, është një proces i dëshiruar për ekonominë shqiptare për disa arsye. Ai rrit formalizimin e ekonomisë; ul evazionin fiskal; përmirëson sigurinë fizike të pagesave dhe ul koston e mbajtjes së cash-it; nxit përfshirjen financiare, dhe jo më pak e rëndësishmja, mbështet integrimin evropian.
Guvernatori shtoi se përshpejtimi i këtij procesi kërkon dhe përmbushjen e disa kushteve: krijimin e infrastrukturave të përshtatshme, aksesin me kosto të arsyeshme tek pagesat digjitale; krijimin e një kuadri rregullator të qartë dhe të rreptë për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit; rritjen e njohurive financiare të publikut; rritjen e aftësive teknologjike të publikut dhe një ndërgjegjësim për avantazhet dhe rreziqet e përdorimit të pagesave digjitale. Ai u bëri thirrje bankave të jenë sa më proaktive në të gjitha këto drejtime.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e kreditimit dhe rolin e tij në financimin e ekonomisë, me një prirje rritëse në kreditimin e bizneseve dhe individëve. Një vëmendje e veçantë kërkohet ndaj sektorit të bujqësisë, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në vend. Gjatë periudhës së fundit, bankat tregtare kanë intensifikuar ofertën e tyre për kredidhënie, duke prezantuar instrumente më fleksibël dhe modele financimi të përshtatura me nevojat e këtij sektori.
Ky trend pozitiv reflekton përpjekjet e përbashkëta të sistemit bankar dhe autoriteteve publike për të nxitur zhvillim të qëndrueshëm, diversifikim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës në Shqipëri.
Së fundmi, Guvernatori Sejko shtoi se mbetet thelbësor koordinimi maksimal midis të gjitha palëve në kuadër të përmirësimeve rregullative dhe infrastrukturore, me qëllim rritjen e efektshmërisë së masave të ndërmarra.
Shoqata Shqiptare e Bankave falënderoi Bankën e Shqipërisë për këtë takim mjaft pozitiv dhe siguroi se bankat shqiptare mbeten të angazhuara të vijojnë me vendosmëri misionin e tyre si partnerë të zhvillimit, duke ofruar zgjidhje financiare gjithnjë e më inovative dhe të qasshme për bizneset dhe individët. Synimi kryesor është që përmes kësaj mbështetjeje të mundësohet rritja e investimeve dhe fuqizimi i qëndrueshëm i ekonomisë kombëtare, në funksion të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së çdo qytetari shqiptar.