Bursa e Maqedonisë: Me ndryshime në legjislacion dhe me aksione e obligacione të reja drejt sigurimit të mjeteve shtesë për financimin e kompanive

nga D. V.

Ohër, 26 shtator – Perspektivat e ekonomive të Maqedonisë dhe rajonit, mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen kompanitë, zhvillimi i tregut të kapitalit, tendencat në transformimin digjital të kompanive, si dhe tema të tjera nga fusha e financave dhe bursave do të jenë në fokus të diskutimeve në kuadër Konferencës së 24-të të Bursës së Maqedonisë së Veriut, e cila tradicionalisht mbahet në Ohër. 

Më shumë se 240 pjesëmarrës nga shtatë shtete, gjatë këtyre dy ditëve do të kenë mundësinë të dëgjojnë për trendet më të reja në fushën e menaxhimit të kompanive, funksionimit të bursës, lëvizjeve globale të kapitalit, si dhe përvojat e të tjerëve përmes 36 intervistave, prezantimeve, ligjëratave dhe analizave të ekspertëve mbi çështjet përkatëse. 

Drejtori kryesor ekzekutiv i Bursës së Maqedonisë së Veriut, Ivan Shteriev, para fillimit të mbledhjes theksoi se gjatë tre tremujorëve të parë të këtij viti, qarkullimi në bursë është në të njëjtin nivel – rreth njëqind milionë euro – gjë që, sipas tij, është një arritje e mirë. 

“Lëvizjet e çmimeve vazhduan me një rritje të ngadaltë, indeksi kryesor i bursës MBI10 këtë vit është rritur me 2,5 për qind dhe po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Nëse e krahasojmë vlerën e tij me atë të vitit para pandemisë, 2019, ai është rritur për 125 për qind, që është një performancë e shkëlqyer. Kjo tregon se, megjithëse po jetojmë në kohë të turbullirave gjeopolitike dhe sfidave makroekonomike, bursat dhe investitorët po tregohen rezistentë dhe kjo nuk po reflekton negativisht në funksionimin e tyre”, tha ai.

Shteriev theksoi gjithashtu se çështja e nxitjes së ofertave të reja publike dhe e emetimit të letrave të reja me vlerë është sfida kryesore zhvillimore si për bursën kombëtare, ashtu edhe për bursat e tjera në rajonin më të gjerë.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, foli se shteti dhe Ministria përkatëse po punojnë në mënyrë aktive për të gjallëruar tregun e kapitalit në vend, si një burim potencial financimi, veçanërisht për kompanitë që kanë vështirësi në qasjen ndaj financimit tradicional, përkatësisht ndaj sektorit bankar.

Në periudhën në vijim, siç theksoi, përmes ndryshimeve në legjislacionin tatimor, por edhe në bashkëpunim me Bursën e Maqedonisë së Veirut përmes emetimit të aksioneve dhe obligacioneve, do të arrijmë të sigurojmë mjete shtesë për financimin e kompanive. 

Programi i konferencës këtë vit përfshin tema të rëndësishme si: perspektivat e vendit dhe ato rajonale ekonomike, mundësitë dhe sfidat për IPO dhe rritje të kompanive vendore, zhvillimi i tregut të kapitalit përmes multifondeve dhe ETF-ve, rëndësia e bursave të vogla, ndikimi i standardeve të përditësuara për njoftim financiar dhe trendet në transformimin digjital të kompanive.

Konferenca vjetore e Bursës së Maqedonisë së Veriut është një prej ngjarjeve më të mëdha financiare në Maqedoni, ku marrin pjesë figura kyçe nga sektori financiar, përfshirë banka, fonde investuese dhe pensionale, shoqata brokere, si dhe rregullatorë, akademikë, përfaqësues të mediumeve, etj. Konferenca është e njohur edhe për karakterin e vet ndërkombëtar, me folës dhe pjesëmarrës nga jashtë, posaçërisht nga tregjet e kapitalit në rajonin e Evropës Juglindore.

Bursa e Maqedonisë së Veriut tashmë mbi dy dekada organizon konferenca vjetore, të cilat janë ngjarje me imazh të njohur, si nga aspekti i aktualitetit të temave të cilat janë lëndë e diskutimit, ashtu edhe nga aspekti i kompetencave të pjesëmarrësve në panele, prezantime dhe fjalime të shumta. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More