Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu vlerësoi sot rolin e domosdoshëm të oficerëve të sigurisë në shkolla, si një person kyç për garantimin e sigurisë së fëmijëve.
Bashkë me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, Koçiu ishte sot e pranishme në ceremoninë e certifikimit të 112 oficerëve të rinj të sigurisë, një armatë profesionistësh që i shtohen shkollave në mbarë vendin, si një garanci më shumë për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Në fjalën e saj në këtë ceremoni, Koçiu foli për masat e shtuara të Policisë së Shtetit, në lidhje me ruajtjen e perimetrit të sigurisë rreth institucioneve arsimore parauniversitare dhe bashkëpunimin me oficerët e sigurisë.
Ndërsa i uroi suksese oficerëve të rinj të sigurisë, ministrja Koçiu uroi që ata të jenë një vlerë e shtuar pranë institucioneve ku do të punojnë, me përmbushjen e misionit të tyre.
“Është absolutisht një nga misionet më të rëndësishme. Nuk ka rëndësi nëse vesh apo jo një uniformë sigurie apo një uniformë policore për të garantuar sigurinë e fëmijëve në ambientin e shkollës. Të garantosh siguri është pikë së pari të garantosh kulturë edhe edukatë ndërgjegjësimi dhe përgjegjësi që pikë së pari fillon nga vetë familja, nga prindërit, nga komuniteti, nga mësuesit dhe nga të gjithë institucionet përgjegjëse për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë në shkolla”, u shpreh Koçiu.
Koçiu theksoi se oficerët e sigurisë kanë jo vetëm aftësinë e të siguruarit fizik të nxënësve, por edhe një aftësi tjetër, atë të të kuptuarit nëse fëmija është i sigurt jo vetëm fizikisht por edhe psikologjikisht.
Ndaj ajo garantoi se do të forcohet akoma më shumë profili i tyre duke u nisur nga një pozicion pune i sigurt që garanton një karrierë të sigurt por edhe stimuj financiar të sigurt, të qëndrueshëm dhe motivues.
“Prindërit kur çojnë fëmijët në shkolla i kanë sytë edhe nga oficeri i sigurisë, për faktin se nuk jeni aty vetëm për të siguruar që fëmija është i sigurt, por jeni aty edhe për të komunikuar çdo pasiguri të fëmijës, çdo nevojë dhe për ta përcjellë atë tek të gjitha hallkat që sot ndodhen në shkollë”, tha ajo.
Ministrja Koçiu nënvizoi po ashtu se me Policinë e Shtetit është bërë një punë shumë e mirë për të siguruar patrullimet jashtë shkollave.
“Kjo për të garantuar perimetrin e jashtëm jo vetëm nga të gjitha ato ambiente që janë të papërshtatshme për sigurinë e nxënësve, por edhe për të pasur një patrullim të shtuar të forcave të policisë. Ajo që jemi duke bërë me Ministrinë e Arsimit, është që pikërisht në ato shkolla me numër të konsiderueshëm nxënësish, ne ta shtojmë prezencën e punonjësve të policisë, sidomos gjatë pushimit të madh apo kur mbaron mësimi”, tha ndër të tjera Koçiu.