Çmimi i arit ka arritur nivele historike, por rritja pritet të ngadalësohet deri në fund të vitit. Sipas ekspertëve, megjithatë, ia vlen të mendohet për investim – sidomos si formë mbrojtjeje në kohë pasigurie.
“Pritjet janë nga shumica e shtëpive investuese, që deri më tani kanë publikuar parashikimet, se nëse nuk ndryshojnë ndjeshëm kushtet, veçanërisht në aspektin politik… që në kushte të tensioneve gjeopolitike, pasigurive dhe niveleve të larta të borxheve, çmimi i arit në periudhën e ardhshme, vitin e ardhshëm, parashikohet të lëvizë në kornizë prej katër, madje kishte edhe një parashikim të guximshëm nga Deutsche Bank deri në 5.000 dollarë”, deklaroi Goran Markovski, drejtor i përgjithshëm i KB “Invest”.
Përveç pasigurisë globale, një tjetër faktor që e shtyn çmimin lart janë borxhet publike – sidomos në ekonomitë perëndimore, të cilat prej kohësh i kanë tejkaluar kriteret e Mastrihtit. Në këto kushte, gjithnjë e më shumë banka qendrore një pjesë të rezervave valutore i shndërrojnë në ar.
“Dhe kjo është ndoshta diçka që edhe në periudhën e ardhshme, veçanërisht kur merren parasysh deficitët buxhetorë të shumicës së vendeve, të jetë një nga motivet kryesore pse pikërisht arin e përfshijnë në konceptimin dhe menaxhimin e politikës së rezervave valutore”, tha më tej Markovski.
Edhe pse çmimi aktual është i lartë, ari ende ka rolin e vet – si mbrojtje nga rreziku. Sipas Markovskit, shumë institucione financiare mendojnë se nga përqindja fillestare prej pesë, tani ari mund të jetë deri në 10 për qind e portofolit investues ose në instrumente të lidhura – por me një qasje të kujdesshme./TV21