Shkencëtarët me seli në Shtetet e Bashkuara, John Clarke, Michel Devoret dhe John Martinis u shpërblyen me Çmimin Nobel në Fizikë për vitin 2025, për “eksperimente që treguan mekanikën kuantike në veprim”. Këto eksperimente hapën rrugën për zhvillimin e teknologjive të reja digjitale, raporton Reuters.
“Jam i befasuar. Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se kjo mund të ishte baza për një Çmim Nobel”, tha Clarke gjatë një telefonate me konferencën e shtypit të Nobelit. “Po flas nga celulari im dhe mendoj se edhe ju po flisni nga celulari. Një nga arsyet që këto pajisje funksionojnë është pikërisht e gjithë kjo punë”.
Veprimet e mekanikës kuantike janë të studiuara mirë, në nivel jashtëzakonisht të vogël – të atomeve dhe grimcave nënatomike, mirëpo shpesh duken të vështira për t’u kuptuar në krahasim me fizikën klasike dhe përmasat më të mëdha të saj.
Fituesit e Nobelit kanë kryer eksperimente në mesin e viteve 1980 me një qark elektronik të ndërtuar nga superpërçues dhe dëshmuan se mekanika kuantike mund të ndikojë edhe në objekte të përditshme, nën kushte të caktuara.
“Është e mrekullueshme të festojmë faktin që mekanika kuantike, edhe pse është mbi njëqind vjeçare, vazhdon të na befasojë. Ajo është gjithashtu shumë e dobishme, sepse është themeli i gjithë teknologjisë digjitale”, tha Olle Eriksson, kryetar i Komitetit të Nobelit për Fizikë.