Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve që kërkon sërish rritjen e pagave, për herë të dytë brenda tre viteve.
Rama shprehej se “shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit, të mos përsëritet”.
Sot në një prononcim për mediet, Zaçaj tha se nuk ndjehen nën presion, pasi janë mësuar me deklarata të tilla që vijnë nga të gjitha palët dhe se media i jep më shumë vëmendje se ç’duhet disa temave apo zërave për vendimet e tyre.
“I qëndrojmë asaj që nxorëm në njoftimin për shtyp. Ne vlerësojmë se çdo vendim i joni në fakt mund të jetë objekt kritikash. Dhe unë e kam inkurajuar faktin se e drejta e lirisë së shprehjes nënkupton pikërisht këtë. Por kufiri mbetet deri tek kritika, jo te presioni”, tha Zaçaj.
Sa i takon mosbatueshmërisë së disa vendimeve të Kushtetueses nga qeveria, Zaçaj nënvizoi se për këtë gjë politika merr koston e saj.
“Nuk besoj se jemi tek ky elementi i mosbzatimit. Ne kur kemi pasur mundësi i kemi thënë, sigurisht unë jam shprehur që zbatimi i vendimeve të Kushtetueses tregon në fakt stadin e demokracisë. Sigurisht kemi ende punë për të bërë, por në maxhoritetin e vet, vendimet tona janë të zbatueshme. Ka vendime të caktuara që politika merr koston e vetë nëse nuk i zbaton, kur flasim për pushtete të tjera. E rëndësishme është që Gjykata funksionon, dolëm me një prononcim, sepse detyra jonë është të garantojmë publikun se Gjykata funksionon e pavarur, e paanshme, sigurisht që mendimet që vijnë nga të gjitha anët, përfshirë edhe të mediave, ne i çmojmë, por në thelb është e rëndësishme që publiku të jetë i mirëinformuar, të marrë informacionin e duhur e nga ana jonë të sigurojmë publikun që jemi të pavarur dhe të paanshëm, të bëjmë punën tonë, pavarësisht se kush janë interesat, sesi mendojnë palët e përfshira në proces”, tha Zaçaj.
“Janë deklarata të zakonshme që ne i kemi parë nga të gjitha palët që përfshihen në proces, përfshi edhe median, dua ta theksoj dhe konsideroj. Sepse ndonjëherë jeni ju të medias që i jepni zë më shumë se ç’duhet ndonjëherë mendimeve, opinioneve që jepen për vendimet tona. Megjithatë për sa kohë vjen në kuadër të lirisë së medias dhe të shprehjes, kjo është një vlerë e shtuar, pasi unë jam një partizane vetë, por edhe vetë trupa. Kështu që atë që ne çmuam të rëndësishme, detyrimin ndaj publikut, për ta informuar dhe garantuar për funksionin tonë të pavarur dhe të paanshëm, ne e kryem. Pjesa tjetër mbetet për mënyrën se secili nga pushtetet mendon të veprojë dhe e sheh detyrën e tij, por për ne kjo është pjesa më e rëndësishme”.
