Dhuna ndaj grave, 41 raste të trajtuara në Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave

nga D. V.

“16 Ditët e Aktivizmit” është një fushatë e përvitshme që nis në 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Këtë vit, Shqipëria shënon fillimin e kësaj fushate me përpjekje dhe angazhime në shkallë të gjerë, që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimin e komuniteteve për veprim.

Juarba Guraj, përgjegjëse e sektorit social pranë Qendrës Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, tha për ATSH-në se aktualisht në këtë qendër trajtohen 4 banorë, nga të cilët 1 grua dhe 3 fëmijë të mitur të pashoqëruar.

“Gjatë periudhës 1 janar deri në nëntor 2025 janë trajtuar 41 banorë nga të cilët 14 gra dhe 26 fëmijë (11 femra+ 14 meshkuj), nga të cilët 8 banore kane qenë të mitura, të pashoqëruara dhe 1 e mitur e ripërsëritur. Nga këto raste, asnjë banore nuk ka pasur shtetësi të huaj”, tha Guraj.

Sipas Gurajt, numri i përfitueseve që kanë hyrë gjatë periudhës 1 janar 2025 deri 3 nëntor 2025 ka qenë 28 banorë, nga të cilët 8 gra dhe 20 fëmijë (9 femra+ 11 meshkuj).

“Numri i përfituesve që kanë dalë gjatë periudhës 1 janar 2025 deri 3 nëntor 2025 ka qenë 31 banore, nga të cilët 10 gra dhe 21 fëmijë (9 vajza + 12 djem), nga të cilët 3 banorë kanë qenë të mitur e të pashoqëruar. Nga këta banorë, asnjë nuk ka qenë nga komuniteti rom (0 grua+ 0 fëmijë)”, vijoi Guraj.

Guraj tha se duke iu referuar shifrave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, nga viti në vit numri i rasteve ka qenë pothuajse i njëjtë.

Sa i takon kategorive shoqërore të këtyre grave dhe vajzave të dhunuara, Guraj pohoi se pjesa dërrmuese e rasteve të akomoduara janë të arsimit bazë (9-vjeçar).

“Vihet re që është një numër i ulët që i përkasin arsimit të mesëm si edhe të lartë. Po të bëjmë një ndarje gjeografike, statistikisht në qendrën tonë ndër vite kanë dominuar më shumë raste nga veriu, kryesisht Kukësi, ndërsa jugu janë nga Fieri dhe Vlora. Niveli i ndërgjegjësimit është më i lartë në qytete si Tiranë, Durrës e Korçë”, tha Guraj.

“16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” është një fushatë globale e drejtuar nga UN Women në kuadër të nismës UNiTE “Bashkohuni për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave”.

Në vitin 2025 kjo fushatë ka në fokus misionin për t’i dhënë fund dhunës digjitale kundër të gjitha grave dhe vajzave, një nga format e dhunës me zhvillim më të shpejtë në të gjithë botën.

Dhuna digjitale përfshin ngacmimin, përndjekjen, dezinformimin, montazhet digjitale të rreme dhe shpërndarjen e fotove intimeve pa marrje pëlqimi, përmes internetit, të gjitha këto dukuri në rritje të ndjeshme me zhvillimin e teknologjisë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More