Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit vijon puna për digjitalizimin e fototekës së Muzeut Historik Kombëtar, i cili sot kremton 44-vjetorin e themelimit të tij.
Pakkush kishte njohuri mbi këtë fototekë, prej 12 mijë negativësh të ruajtur në MHK, deri në ditën kur drejtuesit e rinj të këtyre dy institucioneve njoftuan marrëveshjen për bashkëpunim për digjitalizimin e kësaj pasurie kombëtare.
Elenita Roshi, drejtore e Muzeut Historik Kombëtar (MHK), gjatë një periudhe delikate siç është kjo e rindërtimit fizik e konceptual të muzeut, rrëfen për ATSH se kjo punë ka nisur me pasionin e dy drejtuesve të rinj, që vijnë nga shoqëria civile, dhe të dy e kanë për herë të parë punën në një pozicion të tillë, pranë një institucioni publik.
Roshi tregon se Fototeka e MHK-së nisi të krijohej njëkohësisht me ngritjen e muzeut (28 tetor 1981). Fillimisht grupet e punës që punonin për ngritjen e Muzeut kanë shfrytëzuar materiale fotografike dhe dokumenta në arkiva dhe biblioteka nga gjithë vendi, të cilat fotografoheshin.
Më pas, me hapjen e muzeut është bërë fotografimi i pavijoneve, stendave dhe objekteve. Gjithashtu janë organizuar ekspedita nga punonjësit e muzeut në qytete të ndryshme të vendit, nëpër familje që kanë pasur fotografi historike dhe janë bërë kopje të tyre.
“Bashkëpunimi me Eljanin erdhi shumë natyrshëm”, thotë Elenita Roshi, referuar drejtorit të AQSHF-së. Sipas saj, të jesh në krye të këtyre institucioneve do të thotë të kesh një sfidë të re çdo ditë, për të cilat duhen gjetur zgjidhje të ligjshme, të bëhen vendimmarrje me integritet dhe përgjegjësi shumë të madhe.
“Gjithashtu, nevojitet një mendje krijuese dhe një grup bashkëpunëtorësh që kanë të njëjtën përqasje ndaj sfidave që ke dhe ti”, u shpreh drejtorja e MHK-së.
Kreu i AQSHF, Eljan Tanini thotë se digjitalizimi i Fototekës së MHK-së, për ta kthyer atë në një pasuri digjitale sipas standardeve bashkëkohore, do të marrë më shumë se 6 muaj.
“Në çdo metër filmi ruhet një histori. Jo thjesht për të parë se si ishim, por për të kuptuar pse jemi kështu, sepse pa kujtesë, nuk ka vetëdije. Pa kujtesë, nuk ka vazhdimësi. Dhe pa film, nuk ka dëshmi”, u shpreh Tanini, duke theksuar se Arkivi i Filmit është zemra që mban gjallë rrëfimin shqiptar, është shtëpia e së shkuarës që flet për të ardhmen.
Për këto arsye Eljan Tanini fton dhe institucionet e tjera të ruajnë me dashuri e profesionalizëm dritën që sjell çdo kuadër filmik.
Nga fototeka e MHK, aktualisht janë digjitalizuar më shumë se 760 fotografi, ndërkohë që presin transformimin edhe 11 mijë të tjera.
“Në 1981 u ngrit një grup që shkonte nëpër institucione, përgatiste ekspozita, mblidhte materiale, i fotografonte. Kjo fototekë është e padëmtuar dhe ruajtur në kushte të mira”, thotë Elenita Roshi. Drejtorja e MHK-së thotë se pas digjitalizimit, kjo fototekë do të jetë një nga elementet që mund të përdoret në Muzeun Mistorik Kombëtar të rikonceptuar.
Si pasuri publike, materialet e saj do të jenë të aksesueshme, por duke patur parasysh të drejtën e autorit.
Dikur muzeu ka pasur një laborator fotografik i cili ishte funksional deri pas viteve ’90. Një punë e madhe është bërë nga fotografi i parë i muzeut Refik Veseli, i cili ka fotografuar qytete e vende të ndryshme historike. Kjo punë e tij pasqyrohet në fototekën me negativa që zotëron muzeu sot.
Fototeka është ngritur në funksion të pavijoneve muzeore. Ka një katalog me skeda për gjetjen e negativëve, i ngritur sipas linjës muzeore që fillon nga Pavijoni i Antikitetit, i Mesjetës, i Rilindjes, i Pavarësisë, i Luftës Antifashiste dhe i Socializmit. Përveç kësaj ka një skedar të veçantë për figura dhe personalitete historike si dhe për aktivitetet dhe ekspozitat e zhvilluara ndër vite në muze.
Fototeka që po digjitalizohet, përbëhet në pjesën më të madhe të saj nga filma bardhezi, të formateve të ndryshme si dhe një numër më i vogël diapozitivësh. Filmat janë të vendosur në zarfe bashkë me një stampë dhe arrijnë në më shumë se 12 mijë copë të vendosur në sirtarët e skedarit. Secili zarf ka numrin e negativit i cili korrespondon me skedën përkatëse të skedarit ku janë shkruar të dhënat për secilin negativ.
Kreu i AQSHF-së thekson rëndësinë e arkivave si themele të një institucioni, të cilat duhen digjitalizuar. Tanini thotë se, misioni i institucionit që drejton është të gjejë arkiva të ngjashme, të kujdeset e t’u vijë në mbrojtje këtyre institucioneve për të rijetësuar kujtesën e tyre.



