DREJTËSIA KA NEVOJË PËR NDIHMË

nga L. M

Që prej kur është bërë normë në praktikën e punës së Kuvendit të Republikës raportimi i drejtuesve të institucioneve të drejtësisë mbi veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë, nuk është se kjo praktikë ka sjellë ndonjë dobi për t’u shënuar apo për t’u mbajtur mend. 

Vit pas viti, edhe deputetët, edhe ata që raportojnë, kryejnë një ritual formal për të qenë në rregull me procedurën, por pa ndonjë ndikim apo efekt mbi problemet e shumta që vazhdojnë ta mbajnë në vështirësi sistemin.

Që kjo praktikë t’ia vlejë, më së pari lypset që vetë Kuvendi të kuptojë fillimisht rolin që duhet të përmbushë, e mandej ta rikonceptojë qasjen e vet në përputhshmëri me autoritetin kushtetues që ka. Keqmenaxhimi i vetes, shpërdorimi i autoritetit dhe i kohës së punës në seanca pa asnjë risi, me ata që duhet të raportojnë dhe që mbahen “peng” i paaftësisë së organizimit të kohës e seancave dhe diskutimet mediokre e pa etikën apo kulturën e nevojshme të komunikimit, e bëjnë të gjithën të pavlerë.

Mungon analiza realiste dhe e kushtëzuar prej prioriteteve të përcaktuara më parë. Çfarë ka vërejtur Kuvendi nga anliza e një viti më parë, çfarë detyrash ka lënë, si janë përmbushur ato etj, do të duhej të ishin pretendimi më minimal që duhet të përmbushë Kuvendi dhe deputetët e tij.

Le ta themi pa drojë, reforma në drejtësi nuk ia doli të realizojë misionin për të cilin u inicua. Nëntë vjet që prej kur nisi zbatimi i saj, shumë prej treguesve që kanë të bëjnë me standardet e garantimit dhe të respektimit të lirive të individit, me shërbimin e drejtësisë në kohë e sa më pranë qytetarit, në vend të përmirësoheshin, janë përkeqësuar. Qytetarët vazhdojnë të mos kenë besim tek drejtësia. Shpërthimet masive të komenteve të mijëra qytetarëve pas ngjarjes kriminale të vrasjes në sallën e gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja, janë provë e rëndë e dështimit të sistemit, nëse duam ta lexojmë qartë mesazhin që përcjellin ato komente. Janë edhe shenjë alarmante e zhgënjimit, pas iluzionit se gjendja do të përmirësohej. 

Sepse, kështu u premtua kur u miratua reforma në drejtësi.

Në vend që reforma të ravijëzonte më qartë dhe më mirë humanizmin si tiparin përcaktues të drejtësisë në shtetin e së drejtës, ka bërë të kundërtën. Dhe ky është një problem shumë i madh që ajo ka. Është e habitshme dhe e pakuptimtë kokëfortësia për të mos e pranuar të vërtetën. Të shohësh me realizëm problemet që ka krijuar reforma në drejtësi, të evidentosh defektet apo deformimet e saj, nuk do të thotë se je kundër reformës. Përkundrazi, kjo është shenjë përgjegjshmërie që duhet të çojë medoemos në nisma që marrin udhë prej reflektimit me maturi dhe vullnet të mirë për ta përmirësuar sistemin. 

Gjendja e tanishme e organeve të drejtësisë na provon se pavarësisht motiveve se pse u inicua reforma, vizioni i projeksionit të saj në disa drejtime ka qenë i gabuar, aq sa po rezulton edhe i dëmshëm.

Trupat e vetingut u krijuan me juristë me cilësi të dyshimta profesionale dhe intelektuale. Rendi i vlerësimit dhe gjykimit u përzgjodh (mbase qëllimisht!) gabim, duke i lënë dy organet më të larta, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, jashtë funksionit të tyre për një kohë të gjatë, duke krijuar boshllëk dhe kaos institucional.

Nuk u parashikuan saktë efektet që do të sillte vetingu me largimin e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi, nuk u mendua që në atë kohë për investimet e domosdoshme që duhej t’u paraprinin organeve të reja të drejtësisë, nuk u llogaritën nevojat për gjyqtarë dhe prokurorë që do të zinin vendet e të largurve, nuk u konceptuan drejtë parimet e ndërveprimit institucional dhe të varësisë, të kontrollit, të llogaridhënies dhe transparencës etj.

Ende, edhe sot pas nëntë vitesh, shumica e gjykatave dhe prokurorive janë pa personelin e nevojshëm të magjistratëve, ndërkohë që jo pak prej tyre janë pa drejtues të emëruar.

Është njëra anë e problemit të thuash se përgjegjësia bie mbi KLGJ-në (Këshilli i Lartë Gjyqësor) apo KLP-në (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), por, ta lësh gjendjen po njësoj dhe të mos reagosh, do të thotë të jesh bashkëpërgjegjës me to.

Rritja e frymës represive, prishja e balancave kontrolluese, krijimi pa asnjë logjikë i “Kultit të SPAK-ut” dhe shitja e punës së këtij organi si suksesi i reformës në drejtësi, janë gjithaq dëshmi e gjendjes së sëmurë të sistemit.

Pandëshkueshmëria ka qenë një prej problemeve të mëdha që kishte drejtësia jonë. Nëse sot miti i saj ka rënë e përballë drejtësisë nuk ka më të paprekshëm, vetëm kaq nuk mjafton për të folur për sukses të reformës dhe për të fshehur pas sukseseve të SPAK-ut, problemet e shumta që ajo ka.

SPAK-u është vetëm njëri prej institucioneve të reja të krijuara, por ai nuk mund të jetë treguesi i sukseseve të reformës. Aq më tepër që po i referohemi një strukture të përkohëshme, që shumë shpejt mund të ndodhet para problemit të zëvendësimit të prokurorëve, të cilëve iu mbaron mandati.

Pa dashur të merrem me shumë detaje, po iu referohem vetëm diskutimeve që mbajtën në Kuvend dy deputetë të shumicës, Fatmir Xhafaj dhe Ulsi Manja, të dy edhe ish ministra të drejtësisë, të dy edhe ish aktorë kryesorë të hartimit dhe miratimit të reformës në drejtësi.

Nëse njëri ngre alarmin e thotë se jemi në një situatë të papranueshme me masat e arrestit me burg që i tejkalojnë me disafish standarded e vendeve të BE-së apo flet për nevojën emergjente të rregullimit të proporcionalitetit të masave (Fatmir Xhafaj), e tjetri thotë se sistemi i drejtësisë vuan nga mungesa e efikasitetit, e efektivitetit dhe e disiplinës në punë, apo se kemi zvarritje në gjykim dhe në zbardhjen e vendimeve (Ulsi Manja), çfarë duhet thënë më shumë që të kuptojmë se praktikisht po shkojmë drejt një shtegu ku do të mbetemi pa drejtësi?!

Ndërkaq, të dy deputetët janë njëherësh edhe kryetarë të dy komisioneve të Kuvendit, zoti Manja i komisionit të ligjeve dhe zoti Xhafaj i komisionit të nismave qytetare. Kush tjetër më mirë se ata mund të bëhet nismëtar i nisjes së një procesi reflektimi dhe korrigjimi për të shmangur rënien përfundimtare të drejtësisë?

Në vigjilje të nisjes së legjislaturës së re dhe në prezantimin e kandidaturës së Niko Peleshit për detyrën e Kryetarit të Kuvendit, Kryeministri i vendit Edi Rama premtoi një rikonceptim tërësor të Kuvendit dhe mënyrës se si ai do të kryejë misionin e vet. Ja pra që jemi para një mundësie për ta shpërfaqur këtë qasje të re dhe për ta bërë të prekshëm vizionin e Kryeministrit për modernizimin, më parë se në formë, në përmbajtjen e punës, veprimtarive dhe ushtrimit të përgjegjësive nga ana e Kuvendit.

Drejtësia ka nevojë për ndihmë. Ajo duhet shpëtuar, duhet shëruar me prioritetin që meriton një krijesë në gjendje urgjence. 

Sirenat e alarmit kanë rënë prej kohësh. Kuvendi është mjeku i parë që duhet të ndërhyjë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More