Drejtuesi i përgjithshëm i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani tha sot se hetimet e shpejta në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit dhe gjatë gjithë fushatës zgjedhore, kanë çuar në rezultate konkrete për adresimin e veprave penale që lidhen me zgjedhjet.
Gjatë aktivitetit “Përtej monitorimit: Drejt një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, ku merrnin pjesë edhe Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, ambasadori britanik Nick Abbott dhe drejtues të Policisë së Shtetit, Dumani u shpreh se bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, KQZ-në dhe Policinë e Shtetit ndërtoi një regjim proaktiv, si front kundër veprave penale në zgjedhje, që ka çuar në 43 procedime penale.
“Janë administruar 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore, nga këto 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale. Ndër 43 procedime penale për krime zgjedhore, nga ato 22 janë referuar si krime nga Policia e Shtetit, 1 procedim nga shërbimi i kontrollit të burgjeve, 9 janë regjistruar me iniciativë të Prokurorisë së Posaçme, 3 si rezultat i denoncimit nga shtetas të ndryshëm, 3 nga prokuroritë e rretheve, 4 në kallëzimet e subjekteve politike dhe 1 nga një procedim tjetër penal i regjistruar më parë”, tha Dumani.
Kreu i SPAK nënvizoi se nga totali i procedimeve, 35 procedime janë për korrupsion aktiv në zgjedhje. “Katër procedime janë për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, 1 procedim penal për përdorim të funksionit publik për qëllime politike, 1 për kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrëse në zgjedhje dhe disa të tjera për vepra të tjera penale”.
“Janë ushtruar disa kontrolle banese zyre personale. Janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të ambienteve të ndryshme dhe personave të ndryshëm, janë sekuestruar prova e dokumente të rëndësishme që do t’i shërbejnë procesit të hetimit”, tha Dumani.
“Sfidat nuk janë të pakta. Referuar materialeve të partive të politike depozituar në SPAK, kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota. Nevojitet më shumë ndërgjegjësim publik dhe mbështetje më e madhe për denoncimin përmes fushatave informuese dhe garancive ligjore për mbrojtjen e dëshmitarit”, pohoi kreu i SPAK.
Kreu i SPAK theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në kohë reale mes Prokurorisë së Përgjithshme, KQZ-së dhe Policisë së Shtetit, si një angazhim shumë produktiv për të adresuar dhe zgjidhur në kohë të shpejtë çdo ankim apo pretendim të bërë nga qytetarët, forcat politike apo organizata të ndryshme të shoqërisë civile.
