Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zhvilloi një takim me ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden dhe me ministren e Azilit dhe Emigracionit të Mbretërisë së Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt.
Sipas një njoftimi nga SPAK, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e suksesshëm mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese belge dhe forcimin e tij në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar”.
Dumani theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit, koordinimit të operacioneve të përbashkëta dhe rritjes së efikasitetit në hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar transnacional.
Ministrja Verlinden tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për të thyer modelin e biznesit të grupeve dhe organizatave kriminale.
“Ne mund t’i ndëshkojmë ata në mënyrë efektive vetëm duke gjurmuar paratë”, tha ajo.
Më herët, ministrja e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden dhe ministrja e Azilit dhe Emigracionit të Mbretërisë së Belgjikës Anneleen Van Bossuyt zhvilluan takime me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.
