Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe Giulio Venneri, zëvendësshef i Njësisë për Strategjinë e Zgjerimit dhe Koordinimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG ENEST) zhvilluan javën e kaluar një diskutim në Qendrën Evropiane të Politikave, një nga institutet kryesore të politikave në Bruksel.
Sipas Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, “ky diskutim i frytshëm vuri në dukje rolin kyç të SPAK-ut në reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut.
“Transformimi sistemik është i mundur kur një shoqëri zgjedh ndershmërinë mbi cinizmin dhe kur institucionet ndërtohen jo për komoditet politik, por për shërbim publik,” u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Dumani përmendi edhe sfidat e SPAK, duke theksuar se ka presione nga politika, media dhe krimi.
“Vështirësitë kanë qenë të shtumta. SPAK është institucion i ri, ne në dhjetor mbushim 6 vjet. 6 vite për një institucion janë pak. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve, me bërjen funksionale të institucioneve. Ne kemi nisur në 2019-ën dhe kanë nisur punë vetëm 8 prokurorë, në mungesë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në mungesë të stafit administrativ, pastaj ishte dhe periudha e COVID në mes. Ishin vështirësi të karakterit, teknik, organizativ dhe operacional.
“Vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendeshim, i publikut që kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, realisht mundësitë tona reale ishin të kufizuara.
Tjetër vështirësi është menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar. Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar dhe i përballojnë këto presione”, tha Dumani.
Dumani shtoi gjithashtu se “sfidë ishte edhe krijimi i besimit tek partnerët, pasi institucionet shqiptare shiheshin me mosbesim”.
Venneri nënvizoi se rezultatet në rritje të SPAK-ut, të ndërtuara mbi arritje konkrete, forcimin e kapaciteteve teknike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Kur vendet i zbatojnë me seriozitet reformat, edhe BE-ja jep përgjigjen e saj,” tha Venneri.
