Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar një person në Prizren, i dyshuar për vjedhje.
Në njoftimin e policisë thuhet se “më 23.06.2025, rreth orës 18:40, një 31-vjeçar raportoi në Polici se ishte sulmuar nga një person i panjohur, në rrugën ‘”Skënder Latifi” në Prizren, i cili iu afrua me shpejtësi, e rrëzoi për tokë, ia grabiti çantën e belit ku kishte një telefon, 20 euro dhe dokumente personale dhe u largua me vrap”.
Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të lehta trupore dhe u trajtua nga mjekët.
“Policia dhe Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor Prizren reaguan me shpejtësi dhe arritën ta identifikojnë dhe rreth orës 20:00 ta arrestojnë të dyshuarin K.M. 24 vjeç. I dyshuari pranoi veprën dhe ndihmoi në gjetjen e çantës. Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, sendet u sekuestruan dhe iu kthyen viktimës, ndërsa i dyshuari u ndalua për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
 
			        
 
			        