Edhe sektori i auditimit po përballet me problematikën e mprehtë të emigrimit të profesionistëve të rinj. Për shkak të largimeve të burimeve njerëzore, kompanitë po përballen me sfidën e ruajtjes së cilësisë së shërbimit. Ndërsa rritja e shpenzimeve për shtim pagash dhe kualifikime profesionale mund të sjellë rishikim të tarifave për shërbimet e ofruara. Dritan Fino, Kryetari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike thotë se për zgjidhjen e sfidës së mbajtjes së profesionistëve në vend do të nisë zbatimi i një sërë masave.
Të tërhequr nga pagat më të larta dhe me synimin për t’u përfshirë në tregje më të gjera profesionale, largimi i audituesve të rinj, veçanërisht i atyre me përvojë pune 3 apo 4-vjeçare, është një nga problematikat më të mprehta që po përballet sektori. Shqetësimi ngrihet nga drejtuesit e kompanive kryesore audituese të huaja dhe vendase.
Hergert Hoxha, menaxher i Burimeve Njerëzore në kompaninë audituese “Deloitte Albania”, thotë se prej dy vjetësh, largimet më të shpeshta janë nga punonjësit në pozicione pune jomenaxheriale.
“Për stafin jomenaxherial, lëvizjet jashtë vendit janë më të shpeshta. Në dy vitet e fundit, kjo tendencë është bërë më e dukshme, duke krijuar sfida për ruajtjen e stafit me përvojë të mesme.
Nga ana tjetër, brenda tregut shqiptar, lëvizjet janë më të rralla dhe zakonisht ndodhin kur individët vendosin të ndryshojnë profilin e karrierës, si për shembull nga auditimi drejt financës apo teknologjisë.
Për stafin menaxherial, situata është ndryshe.
Lëvizjet, qofshin brenda apo jashtë vendit, janë shumë të kufizuara. Pozicionet menaxheriale zakonisht janë të qëndrueshme, sepse këto role ofrojnë përfitime të personalizuara dhe një nivel të lartë sigurie profesionale”.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë “RMS Albania”, Bujar Bendo, pohon se po përballen më tepër me largime të punonjësve të rinj me më pak eksperiencë profesionale.
“Ekonomitë e shkallës po japin efektin e tyre edhe në tregun e shërbimeve financiare, për rrjedhojë shumë të rinj aspirojnë të shkojnë në tregun europian dhe ndërkombëtar.
Ndikimi më i madh vihet re për punonjësit e rinj që kanë pak përvojë, pasi tregu ndërkombëtar për ta bëhet më tërheqës për shkak të paketave financiare që ju ofrohen. Megjithatë kjo zbutet nga qasja e praktikave më të mira që zbatojnë firmat që janë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare”.
Por për shkak të lëvizjes së burimeve njerëzore drejt vendeve më të zhvilluara, tregu i auditimit po përballet me sfidën e ruajtjes së cilësisë së shërbimeve.
Dritan Fino, kryetari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) thotë se me këtë sfidë po përballen, si shoqëritë e auditimit vendase dhe ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri. “Ky fenomen ka rezultuar në mungesë të stafit të kualifikuar dhe me përvojë, duke shtuar presionin mbi ruajtjen dhe ofrimin e shërbimeve cilësore”, pohon ai.
Zoti Teit Gjini, partner drejtues i kompanisë “Forivis Mazars”, e sheh emigracionin si fenomen që po pengon zhvillimin e procesit të krijimit të brezit të ri të audituesve.
Koha për përgatitjen e profesionistëve të rinj shkon deri në 7 vite sipas tij, teksa audituesit e rinj po largohen nga vendi pas 3 apo 4 vitesh eksperiencë pune.
“Identifikimi i talenteve dhe qëndrimi i tyre në Shqipëri apo zhvillimi i karrierës në terma afatgjatë në këtë industri është një ndër sfidat kryesore të profesionit tonë. Industria jonë është duke përjetuar largime të ndjeshme të stafit drejt vendeve të Beneluksit dhe vende të tjera të Europës.
Duke vlerësuar që koha për të përgatitur profesionistë të kualifikuar është 4-7 vite, largimi i tyre nga vendi (kryesisht pas 3-4 viteve përvojë) ka krijuar vështirësi në krijimin e brezave të audituesve, sikundër krijon oportunitet për ata të rinj që vendosin të qëndrojnë në Shqipëri”, nënvizon ai.
Si po adresohet largimi i punonjësve?
Në situatën kur largimet e audituesve jashtë vendit mbeten të larta, prioritet për kompanitë është sfida e ruajtjes së cilësisë së shërbimit.
Kryetari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, z. Dritan Fino, thotë se për adresimin e këtyre sfidave, shoqëritë e auditimit kanë ndërmarrë tashmë një sërë masash, duke përfshirë investime në trajnime dhe zhvillim profesional të stafit ekzistues.
Po ashtu, janë aplikuar strategji për të tërhequr dhe për të mbajtur talentet, duke ofruar kushte më konkurruese pune dhe mundësi gjithëpërfshirëse në karrierë.
“Pavarësisht këtyre përpjekjeve, sfidat mbeten të konsiderueshme, dhe ruajtja e cilësisë së auditimit kërkon një angazhim të vazhdueshëm nga shoqëritë e auditimit, institucionet arsimore dhe autoritetet rregullatore mbikëqyrëse për të krijuar një mjedis që mbështet zhvillimin dhe mbajtjen e profesionistëve të kualifikuar në vend”.
Zoti Fino tha se në planet e afërta të BMP-së është të zhvillojë komunikime me institucionet e arsimit të lartë dhe të arsimit profesional.
“Ky bashkëpunim synon së pari të ndahen njohuri dhe informacione për rolin e këtij profesioni dhe për mundësitë e karrierës për tërheqjen e talenteve të reja drejt sektorit të auditimit”.
Ndërtimi i një partneriteti të qëndrueshëm me universitetet dhe institucionet profesionale, thekson zoti Fino, do të ndihmojë në përshtatjen e programeve arsimore me kërkesat e tregut të auditimit, duke përgatitur më mirë studentët për sfidat e profesionit.
Ndërkohë, kompanitë audituese kanë nisur investimet për trajnim të stafeve dhe rritjen e kualifikimit profesional, me qëllim ruajtjen e cilësisë së shërbimit.
Hergert Hoxha, Menaxher i Burimeve Njerëzore pohon se kompania “Deloitte Albania” ka rritur investimet që garantojnë rritjen profesionale të punonjësve në shumë struktura.
“Ne investojmë në mënyrë të vazhdueshme në procese dhe struktura që garantojnë standarde të larta cilësie, pavarësisht qarkullimit të stafit.
Ky proces realizohet nëpërmjet një organizimi të mirë të programeve të onboarding dhe offboarding, të cilat janë të strukturuara në mënyrë që punonjësi të ketë rritje të vazhdueshme profesionale me trajnime dhe certifikime, një kulturë pune dhe kushte të standardizuara dhe të njëjta me vende europiane që mund të aspirojnë të largohen si dhe çfarë është më e rëndësishme, një ndarje e qartë e përgjegjësive që bën më të thjeshtë shpërndarjen e punës dhe ruajtjen e cilësisë edhe në rastet e largimeve (offboarding)”.
Rritja e tarifave për shërbime auditimi financiar e domosdoshme për ruajtjen e cilësisë
Me qëllim frenimin e emigracionit edhe në këtë sektor, si masë parandaluese, nuk ka munguar çdo vit zbatimi i politikës së rritjes së pagave. Teit Gjini, nga “Forivis Mazars”, thotë se çdo vit rritja mesatare e pagave për punonjësit ka qenë 15%.
Sipas të dhënave të tregut, pagat neto të audituesve me eksperiencë 3 deri në 4-vjeçare janë mbi 100 mijë lekë në muaj.
Pagat neto të audituesve me eksperiencë profesionale mbi 7-vjeçare variojnë nga 250 mijë deri në 280 mijë lekë në muaj. Ndërsa pagat neto për nivel menaxherial variojnë nga 350 mijë deri në 400 mijë lekë në muaj.
Teit Gjini pohon se zbatimi i politikave të vazhdueshme së rritjes së pagave me qëllim ruajtjen e cilësisë së shërbimit, mund të shoqërohet me rishikim të tarifave. Zoti Gjini thotë se në Shqipëri, deri tani, ende nuk ka reflektim të tendencës globale për rritje të tarifave për ofrim shërbimi auditi dhe financiar, për shkak të rritjes së kostove.
“Realizimi i shërbimeve cilësore, brenda afateve të rëna dakord dhe me çmime optimale shoqëron kërkesën për shërbimet tona. Kjo kërkesë mjaft e drejtë e tregut përballet me problematikat si:
(i) kostot në rritje që shoqërojnë krijimin e brezave të rinj të profesionistëve
(ii) konkurrencën me çmime të reduktuara të ofrimit të shërbimeve në kurriz të cilësisë
(iii) nevojën për rekrutimin e specialistëve të huaj për një kategori shërbimesh të specializuara.
Nëse tendenca globale për tarifat e shërbimeve të auditimit është në rritje (për shkak të kostove të larta që ky shërbim ka), trendi nuk është reflektuar ende në Shqipëri. Ruajtja e cilësisë së shërbimit e bën të domosdoshme edhe rritjen e tarifave për këto shërbime.
Çmimi është element i rëndësishëm për vendimmarrjen nga ana e klientëve tanë, megjithatë nëse klienti është i kënaqur nga cilësia e shërbimit, ndjeshmëria ndaj çmimit është më e ulët”, nënvizon zoti Gjini.
Dritan Fino, kryetari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, pohon se nga kontrollet e hartuara janw konstatuar disa problematika tw ndryshme qw lidhen me mungesën e sistemeve të informatizuara për kryerjen dhe dokumentimin e auditimit, që pason me çështje të dokumentimit të punës së kryer në lidhje me vlerësimin e riskut të auditimit, hartimin e përgjigjeve në përputhje me riskun e identifikuar, si dhe sistemin e referencimit të programit të auditimit, letrave të punës dhe evidencës së auditimit të rishikuar.
“Për sa u përket gjetjeve të identifikuara gjatë kontrollit të cilësisë në shoqëritë e auditimit, që janë pjesë e rrjeteve të mëdha ndërkombëtare, vlen të përmendim mungesën e plotësimit të manualit të sistemit të kontrollit të cilësisë me kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullator vendas, në veçanti gjatë identifikimit të njësive ekonomike me interes publik që ushtrojnë veprimtari në vendin tonë, që në disa raste është shoqëruar me mungesën e realizimit të rishikimit të kontrollit të cilësisë së angazhimit, zbatimi i ciklit të monitorimit të brendshëm, rishikimi realizohet në fund dhe jo gjatë procesit të auditimit, në nivel angazhimi të auditimit janë identifikuar fusha për përmirësim për sa i përket plotësisë së dokumentimit të gjykimit profesional, evidencës së auditimit, si dhe përmirësime në testimin e zërave të ndryshëm në nivel pasqyrash financiare”, pohon ai.
Në vitin 2023, tregu i auditimit gjeneroi 12 mln euro të ardhura
Tregu i auditimit, në vitin 2023 arriti në rreth 1.28 miliardë lekë, ose rreth 12.3 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), një autoritet rregullator i pavarur, i cili kontrollon zbatimin e kritereve ligjore tek audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar.
Në krahasim me vitin e mëparshëm është shënuar një rritje prej 16% në volumin e të ardhurave të realizuara nga honoraret e shërbimeve të auditimit ligjor.
Tregu i auditimit, në fund të vitit 2023, kishte 240 auditues ligjorë të regjistruar, nga të cilët 143 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik, 71 shoqëri auditimi dhe 26 auditues ligjorë të punësuar pranë shoqërive të auditimit, me një total prej 240 audituesish ligjorë të regjistruar.
Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit kanë ndërmarrë 3779 auditime ligjore në vit, referuar të dhënave për angazhimet e auditimit të realizuara në vitin 2023, sipas BMP.
Në vitin 2023, shoqëritë e auditimit shënuan 60% të të ardhurave nga shërbimet e auditimit, përkundrejt 40% të realizuara nga audituesit ligjorë. Gjatë këtij viti vërehet një rritje e lehtë në peshën e shoqërive të auditimit, në krahasim me vitin e mëparshëm.
Pesë kompanitë më të mëdha kanë 4-8% të tregut secila, sipas totalit të honorareve të auditimit, dy të tjera ndajnë 2-3%, katër shoqëri kanë midis 1-1.2%.
Ndërsa 229 shoqëritë e tjera audituese ndajnë 63% të tregut të auditimit, me një peshë prej më pak sesa 1% secila.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka publikuar për të pestin vit renditjen në tregun e auditimit për shoqëritë e auditimit, sipas totalit të honorareve të auditimit të njësive ekonomike me interes publik, bazuar në raportimet dhe analizat e realizuara nga BMP për auditimet e kryera gjatë vitit 2023.
Në vend të parë është Shoqëria e auditimit “Ernst & Young”, me 8.13% të tregut, me rritje prej 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e kaluar. “Ernst & Young” është ngjitur në vitin 2023 në vendin e parë, nga i dyti që ishte vitin e mëparshëm.
“Mazars”, që në 2021-2022 u rendit si shoqëria më e madhe audituese, ka zbritur në vend të dytë, me 7.74%, nga 7.02% vitin e mëparshëm, bazuar në totalin e honorareve të realizuara nga shërbimet e auditimit.
E treta në renditje mbetet shoqëria e auditimit “Deloitte Audit Albania Sh.p.k.”, me 4.54%, duke ruajtur të njëjtën renditje për vitin 2023, por duke shënuar rënie të peshës në treg, me rreth 1 pikë përqindje.
“Grant Thornton” u rendit në vend të katërt me 4.07%, duke shënuar rënie të peshës në treg, me më shumë se 1 pikë përqindje.
Në vend të pestë është “Kreston Albania”, me 4.07%, me përmirësim të lehtë në krahasim me vitin e kaluar.
“PricewaterhouseCoopers” zuri gati 3% të tregut, ose 1 pikë për qind më shumë se në vitin 2022.
Për renditjen e plotë dhe peshën përkatëse shiko grafikun: Renditja sipas honorareve të faturuara për shërbime auditimi për Shoqëritë e Auditimit, 2023.
Për sa i përket numrit të njësive ekonomike të audituara, në vendin e parë, në vitin 2023, renditet shoqëria “Kreston Albania”, me 3.36%, e ndjekur nga “Mazars”, me 3.07% (2023)./MONITOR