Shkup, 10 gusht – Qeveria aktuale që kur erdhi në pushtet nuk dëshmoi ndonjë interes për të përshpejtuar aspiratat eurointegruese dhe kjo sipas profesorit universitar, Bashkim Selmani, konstatohet në qëndrimet dhe deklaratat e shefit të ekzekutivit.
Sipas tij, kryeministri, eurointegrimin e vendit e bazon në plotësimin e kushteve të Kopenhagës edhe pse thellësisht nuk kujdeset për përmbushjen e tyre dhe kjo, më së miri pasqyrohet në gjendjen e gjyqësorit, koorrupsionit, borxhit publik, që janë pjesë e rëndësishme e vlerave evropiane, thotë njohësi i çështjes.
Sipas tij, Qeveria nuk e ndjen edhe presionin që po vjen nga ndryshimet gjeostrategjike dhe imperativin për t’ju bashkuar familjes evropiane, ku bashkë me përfitimet ekonomike vjen edhe rritja e sigurisë vendore.
“Nëse lexohet oratoria e Kryeministrit, të shprehurit dhe qëndrimi i tij, diametralisht të kundërta me interesin publik, vjen në shprehje se, ai mbështetet në bazën e Kopenhagës. Por, në anën tjetër, nëse bëhet krahasimi mes gjendjes faktike dhe ndryshimeve gjeostrategjike që po bëhen në botë aktualisht, mund të shohim se kjo qeveri jo vetëm që nuk ka vullnet të mirë dhe pozitiv për t’i realizuar të drejtat dhe detyrimet, për arsye se për BE-në nuk është në interesin e saj që të pranojë vende të cilat katër kriteret bazë i ka të vështira: e para korrupsioni, e dyta, drejtësia e prangosur, e treta është borxhi publik dhe raportet ndërnacionale që aktualisht po i ngacmon kjo qeveri.” – thotë Profesori universitar, Bashkim Selmani.
Vendet tjera aspirante dhe RMV-ja, Selmani: Gjeopolitika ka ndryshuar, po humbim kohë
Profesori Selmani hedh një paralele për të krahasuar vullnetin politik të vendit tonë dhe Ukrainës, si dy vende aspirante, ku kjo e fundit edhe pse në rrethana luftarake, punon pandërprerë drejt përfshirjes së saj në Bashkimin Evropian.
Maqedonia e Veriut nuk shpreh as interes të mjaftueshëm në zgjidhjen e dallimeve me Bullgarinë, shton, Selmani.
“Ju e shihni tash edhe Ukrainën që është në gjendje lufte por e bënë më të mirën të mundshme për të ripozicionuar veten në Bashkimin Evropian, ndërsa kjo qeveri e bën të kundërtën e asaj dhe kritereve, edhe në raport me komunikimin evropian, poashtu edhe në raport me relacionet ndëretnike, që janë disa kritere bazë të BE-së. Pjesa tjetër, poashtu disponimi i saj për t’u zgjidhur problemet mes Bullgarisë dhe RMV-së, krejt këto janë rrethana që kjo qeveri tanimë i ka dëshmuar se nuk ka vullnet pozitiv.” – shprehet Profesori universitar, Bashkim Selmani.
Përkujtojmë se procesi eurointegrues i vendit ka mbetur peng i mos-sigurimit të 2/3 të votave në kuvend, për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, respektivisht, përfshirjen e bullgarëve në aktin më të lartë juridik.
Deklaratat e fundit të krerëve të instiucioneve evropiane, janë se, pa i plotësuar këto kushte, nuk do të mundësohet hapja e negociatave reale me Bashkimin Evropian.
