Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë në Europë për numrin e netëve të kaluara nga turistët në strukturat akomoduese gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025.
Nga prilli në qershor, në vend u regjistruan mbi 2,3 milionë netëqëndrime, me një rritje prej 32,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja u nxit kryesisht nga turistët e huaj, të cilët shtuan qëndrimet me 34,2%, ndërsa turistët vendas shënuan një rritje prej 27,8% të netëqëndrimeve.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se netëqëndrimet në hotele dhe strukturat e ngjashme arritën 2,1 milionë, një rritje prej 31,7%.
Edhe akomodimet në shtëpitë me qira apo bujtinat u rritën me 43,3%, ndërsa në kampingje me 47,6%, duke treguar interes në rritje për format alternative të turizmit.
Ndërkohë, në të gjithë Bashkimin Evropian janë regjistruar 1,3 miliardë netëqëndrime në gjysmën e parë të vitit 2025, shifra më e lartë ndonjëherë për këtë periudhë.
Vitin e kaluar rritja ishte 2,3%. Pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së shënuan rritje, me përjashtim të Irlandës që pati një rënie prej 3,5%. Vendet me rritjen të lartë ishin edhe Malta, Letonia dhe Polonia.
