Shimon Sakaguchi, një mjek japonez dhe profesor në Universitetin e Osakës, është shpallur fitues i Çmimit Nobel për Mjekësinë 2025 për zbulimin e qelizave T rregullatore (Treg), të cilat luajnë një rol kyç në balancimin e sistemit imunitar. Çmimi u nda gjithashtu me dy shkencëtarë të tjerë, Mary Brunkow dhe Fred Ramsdell, për kontributin e përbashkët në këtë fushë.
Sakaguchi kaloi mbi 10 vite në laborator duke ndjekur një ide që shumica e komunitetit shkencor e mohonin, ekzistencën e një klase të veçantë qelizash që frenojnë reagimet e tepërta të sistemit imunitar. Këmbëngulja e tij rezultoi e drejtë dhe çoi në një nga zbulimet më të rëndësishme në imunologjinë moderne.
Qelizat (Treg) janë thelbësore për të parandaluar sëmundjet autoimune si diabeti, celiachia apo artriti reumatoid. Por në rastet e kancerit, ato mund të pengojnë organizmin të luftojë tumorin, pasi në indet tumorale ato ndihmojnë në shtypjen e reagimit imunitar. Sakaguchi shpreson se trajtimet që synojnë reduktimin e qelizave (Treg) në tumore, përmes barnave apo antitrupave specifikë, do të rrisin ndjeshëm efektivitetin e terapive kundër kancerit.
Në një intervistë pas marrjes së çmimit, ai shprehu bindjen se në të ardhmen kanceri do të jetë një sëmundje e trajtueshme, e jo më një diagnozë që sjell frikë. Sakaguchi foli edhe për vështirësitë e shkencëtarëve të rinj në Japoni dhe mungesën e mbështetjes për kërkimin bazë, duke e krahasuar vendin me SHBA-në, Kinën dhe Gjermaninë që investojnë më shumë në shkencë.