​Forumi Ekonomik, Kosova ofron mundësi të mëdha për partneritet strategjik me Finlandën

nga L. M

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) të enjten ka organizuar Forumin Ekonomik “Doing Business with Finland”, ku është nënshkruar edhe marrëveshja e bashkëpunimit me Finland Partnership, një mekanizëm që do të mundësojë dhe inkurajojë bashkëpunimin ekonomik.

Forumi solli diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, me fokus në sektorët e teknologjisë së informacionit (ICT) dhe minierave.

Eevamari Laaksonen, ambasadore Finlandës në Prishtinë tha se Republika e Kosovës dhe Finlanda ndajnë të njëjtat vlera, duke përmendur se partneriteti ekonomik ndërtohet mbi inovacion, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“Duhet të them se u befasova, pozitivisht natyrisht, kur pashë kaq shumë kompani finlandeze dhe kosovare të pranishme këtu. Kjo tregon se ka shumë potencial për bashkëpunim ekonomik midis Finlandës dhe Kosovës. Gjithashtu, ka një interes të madh veçanërisht në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), minierave, prodhimit dhe energjive të ripërtëritshme – të gjithë këta sektorë janë në fokusin e punës që bëjmë në ambasadë… Ne ndajmë të njëjtat vlera, dhe kjo e bën bashkëpunimin më të lehtë, si në nivel politik, ashtu edhe në biznes. Ne jemi të sinqertë, duam të bëjmë atë që themi se do të bëjmë, dhe duam të ndërtojmë një lloj bashkëpunimi që ndihmon bizneset të rriten dhe ta kenë më të lehtë punën e tyre. Gjithashtu përmenda me humor se si Kosova dhe Finlanda kanë diçka tjetër të përbashkët: të dy popujve u pëlqen të pinë shumë kafe”.”, theksoi Laaksonen.

Boguslaw Gertruda, kryetar i Seksionit Politik, Ekonomik dhe të Integrimit Evropian nga Zyra e BE-së në Kosovë theksoi se Bashkimi Evropian është investitori më i madh i huaj në Kosovë.

Ai shtoi se bashkëpunimi ynë është përkthyer në një marrëdhënie të fortë tregtare dhe investuese. Sipas tij, marrëdhëniet ekonomike mes BE-së dhe Kosovës janë forcuar ndjeshëm, me rritje të dukshme të eksporteve dhe investimeve.

“Që nga viti 2024, qytetarët e Kosovës gëzojnë udhëtim pa viza për qëndrime afatshkurtra në Bashkimin Evropian. Në kuadër të instrumenteve të saj financiare, Bashkimi Evropian ka investuar më shumë se 1.5 miliardë euro midis viteve 2007 dhe 2020 në rindërtim, administratë publike, sundim të ligjit, reforma të qëndrueshme ekonomike dhe fusha të tjera… Bashkëpunimi ynë është përkthyer në një marrëdhënie të fortë tregtare dhe investuese. Vetëm në vitin 2024, eksportet e Kosovës drejt BE-së u rritën me rreth 9% dhe përbënin rreth 33% të eksporteve të përgjithshme të Kosovës, ndërsa importet nga BE-ja u rritën me rreth 12% dhe përfaqësonin rreth 45% të importeve totale të Kosovës. Bashkimi Evropian është gjithashtu investitori më i madh i huaj në Kosovë. Pjesëmarrja e kompanive nga Bashkimi Evropian në totalin e investimeve të huaja direkte në Kosovë është mbi 60%”, tha Gertruda.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna theksoi se Kosova ofron mundësi të mëdha për partneritet strategjik me shtetin e Finlandës, përkatësisht në sektorin e teknologjisë dhe të minerare.

Ai tha se do të vazhdojn të bashkëpunojnë edhe më ngushtë me Ambasadën finlandeze, dhe ja ku jemi sot, në një ngjarje me përkushtim të veçantë për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Sipas tij, Kosova ofron një mundësi të shumëfishtë për bashkëpunim të mençur.

“Mund të gjejmë potencial të jashtëzakonshëm për partneritet strategjik, veçanërisht në dy sektorë: në teknologjinë e informacionit dhe në industrinë minerare. Por ky është vetëm fillimi. 12:20 Me themelin e shkëlqyeshëm që kemi shtruar sot, jemi të “obliguar” të punojmë më fort. Me rritje në besim dhe suksesin që po shohim, ne po planifikojmë hapin e radhës: të organizojmë misionin biznesor në Finlandë dhe të shqyrtojmë të gjitha mundësitë për bizneset kosovare në Finlandë”, theksoi ai.

Gjatë forumit janë zhvilluar edhe takime B2B ndërmjet kompanive nga Kosova dhe Finlanda./kp

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More