Një zyrtar i lartë ushtarak gjerman ka deklaruar se Gjermania duhet të blejë dronë nga Turqia, ndërsa Berlini synon të forcojë kapacitetet e veta mbrojtëse pas pushtimit rus të Ukrainës, sipas “Deutsche Welle” (DW).
Bashkëpunimi me Ankaranë shihet si një mundësi strategjike që mund të sjellë përfitime për të dyja palët – duke përfshirë prodhimin e përbashkët dhe bashkëpunimin teknologjik në industrinë e mbrojtjes.
Ekspertët gjermanë theksojnë se Turqia është tashmë një nga prodhueset më të avancuara të dronëve luftarakë në botë, me sukseset e saj të dëshmuara në disa zona konfliktesh, nga Kaukazi në Lindjen e Mesme.
Për Berlinin, bashkëpunimi me Ankaranë do të përfaqësonte një alternativë më të shpejtë dhe më të vlefshme sesa zhvillimi i programeve të reja të brendshme që kërkojnë vite dhe buxhete të mëdha.
Kjo ide vjen në një kohë kur Gjermania po përpiqet të përmbushë objektivat e saj të modernizimit ushtarak pas agresionit rus në Ukrainë dhe presionit për të rritur kapacitetet e mbrojtjes së NATO-s.
Ndërsa për Turqinë, një marrëveshje e tillë do të përforconte rolin e saj si furnizuese e rëndësishme ushtarake brenda Aleancës dhe do të rriste ndikimin e saj ekonomik e teknologjik në tregun evropian të armëve.
