Farah Karimi, Koordinatorja Speciale dhe drejtuesja e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së prezantoi sot gjetjet e këtij misioni mbi zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në Shqipëri.
Në një konferencë për mediet të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Karimi vlerësoi posaçërisht rolin e SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore.
“SPAK luajti një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, ashtu sikurse edhe mekanizmi i ri koordinues mes KQZ-së SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme mundësoi një shkëmbim më të mirë informacioni”, tha Karimi.
Sipas saj “kjo pati edhe një efekt të mundshëm frenimi”.
Ndërsa evidentoi faljen e shumë gjobave dhe zbatimin shumë afër zgjedhjeve të disa vendimeve për përfitime sociale, Karimi u shpreh se “kur shohim këto çështje më lejoni të theksoj se është mirë të kemi një kuadër zgjedhor, të kemi kapacitete institucionale që mundësojnë organizimin e mirë të zgjedhjeve”.
Duke folur për fushatën zgjedhore, Koordinatorja Speciale dhe drejtuesja e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së u shpreh se “qytetarëve nuk iu dha shansi të dëgjonin një shkëmbim të sinqertë të ideve politike”.
“Fushata u fokusua në sulme armiqësore personale sidomos nga drejtuesit politikë”, tha ajo.
Karimi u shpreh po ashtu se vendi ka nevojë për politikë të ndershme jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por çdo ditë. “Populli shqiptar e bëri këtë ditë zgjedhore të qetë. Populli shqiptar tregoi angazhim të fortë ndaj demokracisë. Ju siguroj se ne nga ana jonë jemi të gatshëm të punojmë ngushtësisht me parlamentin që do të zgjidhet, me forcat politike”, tha ajo.