GJKKO rrëzon kërkesën e Metës për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”

nga D. V.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, si të pambështetur në ligj.

Vendimi u mor sot nga gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka. Kundër këtij vendimi, Meta mund të bëjë ankimim brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha se gjykata nuk e ka arsyetuar vendimin e dhënë duke shtuar se kjo krijon precedent të rrezikshëm për Metën.

“Kërkuam shuarjen e masës së sigurisë sepse ka plotësuar të gjitha kriteret e bazuara në ligj. Gjykata sot ka krijuar precedentin e rrezikshëm të mbajtjes peng të Metës në burg”, tha avokati.

“Afati 1-vjeçar është ezauruar dje. Shuarja është një moment i rëndësishëm procedural sepse janë plotësuar afatet e paraburgimit. Nesër do shqyrtohet kërkesa për revokimin”, tha Cakrani.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More