Hapësira online e pushtuar nga përmbajtje të rreme për fitime të shpejta të krijuara me inteligjencë artificiale

nga Xh M

Shkup, 20 nëntor – Gjatë vitit 2025, deri në mesin e nëntorit, në Sektorin për Krim Kibernetik pranë Ministrisë së Brendshme janë paraqitur 60 denoncime për mashtrime të ndryshme në internet dhe 20 denoncime për keqpërdorim të të dhënave personale online. Nga këto, katër ankesa kanë ardhur nga mjekë, të cilëve u është vjedhur identiteti nëpërmjet videove të rreme “deep fake” dhe intervistave të krijuara me inteligjencë artificiale, të përdorura për reklamimin dhe shitjen e produkteve të ndryshme.

Sipas MPB-së, këto raste lidhen me përdorimin e emrit dhe fotografive të mjekëve të njohur, për t’i shitur publikut çaje dobësimi apo produkte të dyshimta për trajtimin e sëmundjeve, pa dijeninë ose pëlqimin e tyre.

“Për çdo rast të tillë, njoftohet Prokuroria dhe ndërmerren të gjitha masat për zbulimin e autorëve, përfshirë edhe gjurmimin e adresave IP”, theksojnë nga Ministria.

Rritje e ankesave për profile të rreme dhe llogari të hakuara

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AZDP) gjatë vitit 2025 ka pranuar 186 ankesa, kryesisht për:

Profile të rreme – 69 ankesa

Profile të hakuara – 45 ankesa

Publikim të fotografive dhe videove të personave të tjerë

Fyerje, shpifje dhe shantazh online

Gjashtë ankesa që lidhen me cenimin e privatësisë së fëmijëve

Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale 2025 janë paraqitur dy raste për publikim të paautorizuar të të dhënave të kandidatëve dhe krijim të profileve të rreme.

Në krahasim me vitin 2024, kur ishin 249 ankesa, këtë vit numri është më i ulët — por rritja e përhapjes së materialeve të krijuara nga AI mbetet shqetësuese.

Raste të fundit: intervista të rreme dhe portale të imituara

Edhe Agjencia e lajmeve MIA u bë shënjestër dy herë gjatë vitit — në prill dhe tetor — kur në internet u shpërndanë storie mashtruese të krijuara me inteligjencë artificiale.

Më 14 tetor u publikua një “intervistë” e rreme në të cilën emri i MIA-s dhe fotografitë e saj u keqpërdorën, duke imituar dizajnin e portalit. Në video, gazetarja Ana Zafirova dhe ministri Timço Mucunski paraqiteshin në një intervistë të sajuar plotësisht artificialisht.

Zafirova thotë se rastin e ka zbuluar përmes një njoftimi të shpërndarë në LinkedIn.

“Një tjetër keqpërdorim i rrezikshëm që mashtron qytetarët. Kam pasur raste të ngjashme edhe në Instagram, prandaj gjithmonë paralajmëroj publikun që më ndjek të jetë i kujdesshëm”, deklaroi ajo.

Ajo apelon që qytetarët të trajtojnë çdo informacion me kujdes, të kontrollojnë burimin, adresën e emailit, gabimet drejtshkrimore dhe qëllimin e mesazhit, sepse shumë prej tyre janë krijuar për të shkaktuar reagime emocionale dhe për të manipuluar publikun.

Udhëzime të reja për fshirjen e profileve të rreme

AZDP sqaron se nuk ka kompetenca të fshijë ose rikthejë profile në rrjete sociale, por ka publikuar udhëzime të detajuara që qytetarët të mund t’i bëjnë vetë kërkesat në Facebook, Instagram, TikTok, YouTube e të tjera.

Nëse rrjeti social nuk përgjigjet, qytetarët mund të kontaktojnë Agjencinë, e cila ndërmjetëson vetëm për Facebook dhe Instagram në bashkëpunim me ekipet teknike të këtyre platformave.

Në rast se dyshohet për një veprim penal — mashtrim, shantazh, kërcënim, publikim të paautorizuar — rasti i dërgohet MPB-së dhe Prokurorisë.

Edukimi i fëmijëve dhe të rinjve

Agjencia vazhdon të organizojë punëtori në shkolla për të rritur ndërgjegjësimin mbi privatësinë, sidomos tek fëmijët. Nxënësit mësojnë për rreziqet e publikimit të të dhënave personale, mbrojtjen e identitetit online dhe sigurinë në rrjetet sociale.

92% e popullsisë përdor internet – rritet edhe rreziku

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e parë të vitit 2025:

92.1% e qytetarëve të moshës 15–74 vjeç përdorin internet

91.2% e familjeve kanë qasje në internet

Komunikimet më të shpeshta janë videothirrjet dhe mesazhet në platforma si WhatsApp, Messenger, Viber, Skype

Rritja e përdorimit të rrjeteve sociale dhe teknologjisë po e bën hapësirën online më të rrezikshme për mashtrime, manipulime dhe keqpërdorime të të dhënave personale.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More