Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se takimi i sotëm i Presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike do ta vërtetojë se që askush nuk e ka shumicën.
Si zgjidhje nga ky ngërç politik në të cilin është futur Kosova, Haradinaj zgjidhje i sheh zgjedhjet e reja.
“Pas dështimit të mandatarit dhe të qeverisë të propozuar nga ai me votë, tani opsionale është një shumicë e re, nëse nuk paraqitet kjo shumicë e re te presidentja, ku asnjëri nuk e ka shumicën, atëherë presidentes i mbetet si opsion i vetëm shpallja e zgjedhjeve”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj nënvizoi se zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Do të thotë janë të pashmangshme kësaj here, gjithçka duhet ta bëjmë më të mirën, po jemi të gatshëm”, deklaroi Haradinaj.
Një marrëveshje mungon edhe mes partive opozitare, pa çka kryetari i AAK-së potencon se nuk ekziston një shumicë e re, por edhe që nuk ka Qeveri “Kurti 3”.
“Ne kemi 52 deputetë shqiptarë, katër më shumë se sa Vetëvendosje, që i bie i kemi realisht mundësitë, por mungon një marrëveshje mes opozitës, edhe nuk e kemi shumicën, nuk kemi mandatar që e ka shumicën. Besoj që zgjedhjet po vijnë, pas zgjedhjeve të tjera nuk do të ketë vonesa, nuk do të vonohet Kosova, po presim që ajo që është vërtetuar që ‘Kurti 3’ nuk ndodhi, të jetë edhe perspektiva të jetë rruga e re për Kosovën, të jetë qeveria e Kosovës”,tha ai në intervistën për Ekonomia Online.
I pari i AAK-së tha se takimi me presidenten “do të vërtetojë se askush nuk e ka shumicën”, dhe se më pas gjithçka do të mbetet në diskrecionin e saj.
“Pikërisht do të vërtetohet se askush s’e ka shumicën, pastaj do të mbetet në diskrecionin e presidentes”, ka përfunduar Haradinaj.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 26 tetor 2025, mandatari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk ka arritur që t’i sigurojë 61 vota e kështu rrjedhimisht ta formojë edhe Qeverinë e re, siç e quanin ata Qeveria “Kurti 3”. Në këtë seancë Kurti kishte “pro” 56 vota, 52 kundër dhe 4 abstenime.
Në një konferencë për media, kryetari i Vetëvendosjes, njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurti pajtohej që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Mbase është për të ardhur keq që do të mund të kemi, përveç balotazhit, edhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër, edhe zgjedhje në pranverë. Sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një Qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund t’i bëjmë kollaj 81 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm”, deklaroi mes tjerash Kurti.
Pas këtij dështimi, meqenëse është edhe në deskrecionin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kjo e fundit të enjten u ka dërguar ftesë partive, e ku sot në ora 12:00 do t’i presë në takim.
Në këtë takim do të marrin pjesë të gjithë liderët e partive politike, madje pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe nga partia e Kurtit.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën me 9 shkurt të këtij viti, pa çka ende vendi nuk ka institucione funksionale.
 
			        
 
			        