Haxhiu: Rilindja po mundohet të ndërtojë një realitet virtual për arsimin në Shqipëri

nga L. M

“Arsimi nuk përmirësohet me konferenca, deklarata dhe foto propagandistike, por me respekt real për mësuesin, me politika afatgjata për formimin dhe motivimin e tij, me kushte pune dhe paga dinjitoze”. Kështu thuhet në një deklaratë të  Zv/Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu.

Ajo ka denoncur në regaimin e saj përdorimin e rezultateve të  anketës ndërkombëtare TALIS, për të ndërtuar një realitet virtual për arsimin në Shqipëri nga qeveria e Rilindjes.

Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu.

Përshëndetje!

Dështimi i qeverisë për të ofruar siguri, cilesi ne shkolla , pagat e ulta  dhe kushtet e vështira të punës për mësuesit përpiqen të mbulohen me propagandë nga Ministria e Arsimit. Përdorin  rezultatet e anketës ndërkombëtare TALIS, për të ndërtuar një realitet virtual. Në Shqipëri manipulojnë vullnetin e qytetarëve e jo me të mësuesve që detyrohen të angazhohen në cdo fushatë rilindase dhe të shpërndajnë statuse politike ne rrjetet e tyre sociale.

Në Shqipëri, mësuesia është kthyer në një ndër degët më pak të zgjedhura nga studentët e rinj. Të rinjtë nuk shohin më arsimin si një fushë ku mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre me dinjitet, siguri dhe respekt. Në mungesë të politikave të mirëfillta për nxitjen e brezit të ri drejt këtij profesioni, qeveria ka zgjedhur rrugën e manipulimit, duke orientuar moshat e mesme dhe individë jashtë ciklit të zakonshëm universitar drejt degëve të mësuesisë, vetëm për të shmangur mbylljen e tyre.

Ky nuk është zhvillim, por një masë emergjente për të maskuar dështimin. Nuk është politikë arsimore, por politikë numrash dhe fasadash.

Në të njëjtin raport TALIS, mësuesit shqiptarë raportojnë nivel të lartë stresi, mungesë mbështetjeje, kushte pune të vështira dhe pakënaqësi me mjedisin profesional. Po të ishin pagat dhe kushtet e punës reale në nivele dinjitoze, profesioni i mësuesit nuk do të braktisej.

Sot, sistemi arsimor shqiptar përballet me mungesë qindra mësuesish në shumë zona të vendit. Shpopullimi, pagat e ulëta, infrastruktura e amortizuar dhe mungesa e motivimit po zbrazin shkollat dhe po largojnë profesionistët më të përgatitur. Shumë mësues kanë zgjedhur emigracionin ose profesione të tjera më të paguara dhe më të respektuara.

Kjo nuk është pasojë e ndonjë “transformimi pozitiv”, por rezultat i politikave të gabuara, mungesës së vizionit dhe keqmenaxhimit të sektorit arsimor. Ndërkohë që qeveria krenohet me përqindje dhe statistika të përzgjedhura, realiteti në terren është krejt tjetër:

Mësuesit e rinj ndihen më pak të përgatitur për përmbajtjen mësimore;

Stresi dhe mbingarkesa janë më të larta se në vendet e OECD-së;

Trajnimet janë kryesisht formale, pa ndikim praktik;

Vlerësimi dhe karriera profesionale mbeten të bllokuara në burokraci dhe mungesë meritokracie.

Arsimi nuk përmirësohet me konferenca, deklarata dhe foto propagandistike, por me respekt real për mësuesin, me politika afatgjata për formimin dhe motivimin e tij, me kushte pune dhe paga dinjitoze.

Nëse qeveria do të kishte guximin të shihte përtej propagandës, do ta pranonte se kriza e arsimit është sot një nga arsyet kryesore të braktisjes së vendit nga të rinjtë, dhe se asnjë reformë nuk mund të ketë sukses pa mësues të motivuar dhe të vlerësuar.

Sot Shqipërisë i mungon strategjia, jo mësuesit e mirë. Mësuesit janë aty , të lodhur, të zhgënjyer, por ende të përkushtuar. Dhe është detyra e çdo qeverie serioze t’u japë atyre vendin dhe dinjitetin që meritojnë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More