Linja hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas, e cila do të operojë me tren elektrik dhe shpejtësi deri në 120 km/h, pritet të nisë funksionimin në fillim të vitit 2027.
Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, bëri të ditur në një intervistë për ATSH se punimet për infrastrukturën janë drejt përfundimit, me rreth 87% të punimeve të kryera, ndërsa aktualisht po punohet për sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionit.
Paralelisht, janë në zhvillim edhe punimet për ndërtimin e tetë stacioneve të reja hekurudhore përgjatë linjës, të cilat pritet të përfundojnë brenda majit 2026.
Së fundmi, theksoi Verdho, është hapur gara ndërkombëtare për elektrifikimin e linjës, me synimin për të lidhur kontratën në fillim të vitit 2026.
“Plani ynë është të finalizojmë të gjithë komponentët e nevojshëm për një linjë moderne të elektrifikuar brenda vitit 2026, në mënyrë që trenat elektrikë të mund të nisin operimin në fillim të vitit 2027”, u shpreh Verdho.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe zgjatimi me 4 kilometër i linjës hekurudhore për të bërë të mundur lidhjen me Bulevardin e Ri të Tiranës, me një terminal të ri hekurudhor në zemër të kryeqytetit.
Falë këtij investimi, udhëtimi nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit “Nënë Tereza” do të zgjasë vetëm 10 minuta, ndërsa nga Tirana në Durrës, rreth 26 minuta.
Gjithashtu, kjo linjë moderne hekurudhore paraqet një alternativë të qëndrueshme transporti, veçanërisht për udhëtimet drejt aeroportit, duke ndihmuar në zvogëlimin e trafikut urban, reduktimin e ndotjes së ajrit.
Projekti i hekurudhës Durrës – Tiranë dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës krijon një sistem efikas dhe të lidhur mirë midis dy metropoleve. Ai siguron lidhje të shpejtë dhe të lehtë mes rrugëve, aeroportit dhe Portit të Durrësit, që është porti më i madh dhe më i rëndësishëm në rajon.
Shqipëria ka një strategji afatgjatë për zhvillimin e rrjetit hekurudhor dhe integrimin e tij në sistemin hekurudhor të Bashkimit Europian.
“Ky orientim është i përcaktuar në Strategjinë Kombëtare të Transportit dhe në Planin e Veprimit për Transportin Hekurudhor, të cilat synojnë modernizimin e linjave ekzistuese, ndërtimin e lidhjeve të reja dhe përafrimin e standardeve teknike, mjedisore dhe të sigurisë me ato të BE-së”, theksoi Verdho.
Një element kyç i kësaj strategjie është integrimi i Shqipërisë në Rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T), ku Shqipëria është pjesë e korridoreve bazë dhe gjithëpërfshirëse.
Projektet prioritare përfshijnë Korridorin VIII (Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pogradec) dhe linjën Vorë – Hani i Hotit, të cilat sigurojnë lidhje rajonale dhe ndërkombëtare me vendet fqinje dhe, përmes tyre, me rrjetin hekurudhor europian.
Përveç investimeve infrastrukturore, strategjia përfshin reforma të thella institucionale dhe rregullatore. Kjo përfshin krijimin e një tregu hekurudhor të hapur dhe konkurrues, forcimin e kapaciteteve të autoriteteve rregullatore dhe promovimin e transportit të qëndrueshëm, duke reduktuar përdorimin e transportit rrugor në favor të atij hekurudhor.
Në afatgjatë, këto masa do të mundësojnë që Shqipëria jo vetëm të modernizojë rrjetin e saj hekurudhor, por edhe të bëhet një pjesë integrale e zinxhirit europian të transportit. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm zhvillimin ekonomik, sigurinë e lëvizjes dhe shkëmbimet tregtare në rajon.