Institucionet e pavarura do raportojnë te “Ligjet”, por edhe te komisioni “Xhafaj”

nga L. M

Me 16 shtator, Partia Socialiste votoi në mënyrë të njëanshme ndryshimin e Rregullores së Kuvendit bashkë me komisionet parlamentare, ku përfshihet edhe konstituimi me karakter të përhershëm i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i njohur ndryshe si komisioni “Xhafaj”.

Por puna e këtij komisioni ka ngritur shqetësime për një ‘konflikt kompetencash’ me Komisionin për Çështjet Ligjore.

Në mbledhjen e parë të komisionit të Ligjeve, kryetari Ulsi Manja bëri të ditur se raportimet e institucioneve të pavarura kushtetuese do të bëhen në mbledhje të përbashkëta me komisionin “Xhafaj”.

“Që mos t’i thërrasim dy herë për të raportuar për të njëjtën gjë,” u justifikua Manja.

Por kur deputetë të opozitës e pyetën se kush do të drejtojë mbledhjet, Manja u përgjigj me pyetjet retorike “si kush do ta drejtojë?” dhe vetëm pasi u konsultua me formulimet përkatëse në rregulloren e Kuvendit, arsyetoi se “komisioni më i përafërt është komisioni i Ligjeve kështu që kryetari i komisionit të Ligjeve do ta drejtojë”.

Komisioni “Xhafaj” ka të pëshkruar në objektin e punës: “monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të veprimit të Kuvendit…”.

Sipas Manjës, komisioni i ri bën mbikqyrjen e zbatimit të rezolutave ndaj do të bëhet pjesë e raportimeve dhe “kërkon mirëkuptim derisa sa të krijohet praktika parlamentare…”

Por vendosja e kësaj praktike u kundërshtua nga deputetë të opozitës si një mbivendosje kompetencash mes komisioneve.

Nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi tha se kjo është një detyrë e mirëpërcaktuar në rregullore për komisionin e Ligjeve.

“Kanë krijuar një konfikt,” arsyetoi Bylykbashi për BIRN pas mbarimit të mbledhjes, ndërsa sugjeroi se përfshirja e komisionit “Xhafaj’ në këtë proces lidhej me qëllimet e fshehta të qeverisë për të cënuar organet e drejtësisë.

“Që kur u krijua si komision i posaçëm u kontestua se kishte qëllime të tilla dhe ndaj opozita e bojkotoi, por tani është bërë komision i përhershëm dhe futja në një proces që lidhet me raportimet të organeve të drejtësisë projekton dritë-hijet e këtyre synimeve nesër mbi këto institucione,” shtoi Bylykbashi.

Sipas kalendarit të miratuar të martën, raportimet e institucioneve të pavarura kushtetuese do të mbahen në seanca maratonë nga data 7 deri më 14 tetor, ndërsa procesi duhej të ishte përmbyllur ligjërisht brenda qershorit në legjislaturën e kaluar.

Vitin që shkoi, qeveria tentoi të replikojë një proces në dukje të ngjashëm me reformën në drejtësi përmes të ashtuquajturit “komisioni antikorrupsion” i drejtuar nga Xhafaj, i cili u ngrit mbi një rezulotë të inicuar nga kryeministri Edi Rama dhe të miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.

Por, puna e tij fut në krizë që në nisjen e punës së tij kur institucionet e drejtësisë dhe një numër organizatash të shoqërisë civile refuzuan njëra pas tjetrës që të dërgonin ekspertë pranë komisionit dhe ndërsa u bojkotua nga opozita. Pasi shpenzoi disa muaj duke organizuar tryeza me shoqërinë civile dhe akademikë, komisioni e mbylli punën në korrik pa ndonjë produkt real.

Në sezonin e ri parlamentar, komisioni i posaçëm do të operojë si një komision i përhershëm.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More