Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Elvis Shkambi, autorin e vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, si dhe për xhaxhanë e tij Gjon Shkambi dhe rojen e sigurisë që ndodhej në detyrë në momentin e ngjarjes.
Gjatë seancës, avokati i të pandehurit Elvis Shkambi deklaroi se “klienti i tij i ka kërkuar falje publike familjes së gjyqtarit”, duke pretenduar se krimi ndodhi si pasojë e tronditjes psikike pas një “kalvari të gjatë gjyqesh”, ku institucionet “nuk kishin bërë detyrën”.
Sipas Prokurorisë, Elvis Shkambi akuzohet për “vrasje të funksionarëve publikë” dhe “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë”, ndërsa xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, për nxitje dhe bashkëpunim në tentativën për vrasje të Rakip dhe Elvis Kurtajt, palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
Prokuroria thekson se xhaxhai ka shtyrë nipin të qëllojë edhe mbi babë e bir, pasi kishte vrarë gjyqtarin Kalaja.
Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.