Shkup, 2 korrik – Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në kuadër të sesionit të 144-të, përfundoi shqyrtimin e raportit të katërt periodik të Maqedonisë së Veriut mbi mënyrën se si i zbaton dispozitat e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, me ç’rast ekspertët e Komitetit vlerësuan përpjekjet e vendit për të adresuar diskriminimin dhe ngritën çështje në lidhje me raportet për përdorim të tepruar të forcës nga zyrtarët kufitarë kundër azilkërkuesve dhe sulme ndaj gazetarëve.
Ekspertët, në kuadër të pjesës së djeshme të sesionit, konfirmuan përpjekjet pozitive të ndërmarra nga shteti për forcimin e sundimit të ligjit dhe adresimin e diskriminimit, të ndërmarra në kontekstin e kandidaturës së Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në sesionin për Maqedoninë, delegacionit tonë iu kërkua të përgjigjej se si shteti ka siguruar një hetim në kohë dhe efektiv mbi akuzat për përdorim të tepruar të forcës nga zyrtarët kufitarë kundër azilkërkuesve dhe çfarë po bën shteti për të parandaluar rritjen e sulmeve ndaj gazetarëve në vitet e fundit, dhe çfarë trajnimi u është ofruar zyrtarëve publikë mbi të drejtën e lirisë së shprehjes.
Nikolla Prokopenko, këshilltar shtetëror për legjislacionin penal në Ministrinë e Drejtësisë të Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i delegacionit, tha se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit, të cilat janë pjesë përbërëse e prioriteteve strategjike në reformimin e sistemit ligjor, forcimin e sundimit të ligjit dhe promovimin e demokracisë në përputhje me standardet evropiane.
Lidhur me masat për të parandaluar diskriminimin, delegacioni deklaroi se vendi po harmonizon ligjin për parandalimin e diskriminimit me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian. Komisioni Kombëtar për Monitorimin e Diskriminimit është forcuar dhe se ka ndihmuar në zhvillimin e politikave kombëtare për të parandaluar diskriminimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit midis nëpunësve civilë për këtë çështje.
Delegacioni raportoi se brenda shërbimit policor kishte mekanizma të brendshëm për të hetuar ankesat për përdorim të tepruar të forcës dhe torturës nga nëpunësit policor. Kur u gjetën prova, u hapën procedura penale kundër zyrtarit të akuzuar, i cili gjithashtu u sanksionua. Nuk pati raportime për përdorim të tepruar të forcës kundër migrantëve dhe azilkërkuesve midis viteve 2022 dhe 2024.
Delegacioni i Maqedonisë informoi gjithashtu se ndryshimet e fundit në Kodin Penal lejojnë ndjekjen penale sipas detyrës zyrtare të sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe se shteti ka punuar për të rritur dukshmërinë e veprave penale kundër gazetarëve dhe për të rritur dënimet për vepra të tilla penale, duke theksuar se në vitin 2024 u kryen katër krime kundër gazetarëve dhe të gjitha këto raste u ndoqën penalisht.
Në fjalën e tij përmbyllëse, përfaqësuesi i Maqedonisë Prokopenko shprehu mirënjohje për dialogun konstruktiv, duke theksuar se rekomandimet e Komitetit do të shërbejnë si udhëzime të vlefshme për forcimin e ligjeve dhe politikave, drejt ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë të bazuar në të drejtat e njeriut.
Çangrok Soh, kryetari i Komitetit, në fjalën e tij përfundimtare, përgëzoi Maqedoninë e Veriut për ratifikimin e traktateve ndërkombëtare, normave ligjore mbi dhunën me bazë gjinore dhe politikave të barazisë gjinore. Megjithatë, ai tha se shqetësimet mbetën për çështje të tilla si gjuha e urrejtjes, kushtet në burgje dhe korniza e kufizuar për mbrojtjen e azilkërkuesve.
Delegacioni i Maqedonisë përbëhej nga përfaqësues të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive; Agjencisë për Shërbime Mediale Audiovizuale; Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë; Ministrisë së Drejtësisë; Ministrisë së Shëndetësisë; Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme; Ministrisë së Punëve të Brendshme; Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Misionit të Përhershëm të Maqedonisë së Veriut në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Sesioni i 144-të i Komitetit për të Drejtat e Njeriut mbahet nga 23 qershori deri më 17 korrik 2025 në selinë e tij në Gjenevë.