Sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore BMJ, ngrënia e tre porcioneve patate të skuqura në javë shoqërohet me një rrezik prej 20 për qind më të lartë të diabetit, ndërsa konsumimi i patateve të ziera, të shtypura ose të pjekura ka vetëm një ndikim minimal.
Hulumtimi analizoi zakonet e të ngrënit të më shumë se 205,000 infermierëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë gati katër dekadave, duke e bërë atë një nga studimet më gjithëpërfshirëse mbi këtë temë.
Kryehulumtuesi, Seyed Mohammad Mousavi, thekson se jo të gjitha patatet janë njësoj dhe se patatet e skuqura, për shkak të metodës së përgatitjes dhe rritjes së shpejtë të sheqerit në gjak, paraqesin një rrezik të veçantë.
Ekspertët thonë se rritja e glukozës në gjak e shkaktuar nga patatet e skuqura zvogëlon ndjeshmërinë ndaj insulinës, gjë që me kalimin e kohës mund të çojë në zhvillimin e diabetit. Në studim, një porcion patate të skuqura u përcaktua si rreth 110 deri në 180 gram, që është ekuivalente me një porcion mesatar deri të madh nga rrjetet e njohura të ushqimit të shpejtë.
Edhe pse disa racione patate të ziera ose të pjekura në javë mbartin pak rrezik, ekspertët paralajmërojnë se konsumi i rregullt i patateve të skuqura, veçanërisht në sasi të mëdha, duhet të shmanget si pjesë e një diete të shëndetshme.
Ky hulumtim ngre pyetje në lidhje me ndikimin e ushqimeve të preferuara në shëndet dhe potencialisht ofron udhëzime për zgjedhje më të mira dietike.