Korrupsion në sistemin e drejtësisë, SPAK çon për gjykim gjashtë person

nga D. V.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë gjashtë të pandehur për ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

Konkretisht SPAK ka dërguar për gjykim Musa Gjikolë, Klodjan Muçën, Sokol Mashën, Erjon Danin, Emiljano (alias Millan) Roçin dhe Vilson Roçin.

Të pandehurit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe për të pandehurin Erjon Dani, “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas SPAK “nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve”.

Gjithashtu, njoftoi SPAK, “është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS”.

“Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare”, njoftoi SPAK.

SPAK bëri të ditur se ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.

Prokuroria e Posaçme shpreh falënderimet e saj për autoritetet franceze, holandeze dhe belge, si dhe për Eurojust dhe Europol, për bashkëpunimin dhe asistencën e dhënë gjatë këtij hetimi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More