Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u hodh sot shorti për përcaktimin në mënyrë rastësore të qendrave të votimit dhe kutive të votimit nga jashtë që do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor.
Verifikimi paszgjedhor kryhet në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe bëhet vetëm pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar, të jenë përmbyllur procedurat ankimore dhe zgjedhjet të kenë përfunduar.
Procedura e shortit u zhvillua nga Administrata e KQZ-së “Për fillimin e procesit të verifikimit paszgjedhor për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.
Për verifikimin paszgjedhor u përzgjodhën në mënyrë rastësore të 5% të qendrave të votimit për çdo KZAZ, si dhe 5% të kutive të votimit për çdo KAVJ.
Në zgjedhjet e datës 11 maj 2025 janë administruar gjithsej 6 184 kuti votimi, të ndara në: 5 225 kuti votimi të Qendrave të Votimit brenda vendit; 959 kuti votimi që i përkasin votimit nga jashtë vendit (KAVJ).
Përzgjedhjes rastësore i’u nënshtruan 3101 kuti votimi nga QV-të brenda vendit dhe 874 kuti votimi nga votimi jashtë vendit nga 5225 QV total brenda vendit dhe 959 kuti total nga votimi jashtë vendit.
Në procesin e përzgjedhjes kutitë e votimit të cilat janë rinumëruar përgjatë procesit të shqyrtimit të ankimimeve (2124 QV Brenda vendit dhe 85 kuti nga votimi jasht vendit), ato që janë në proces hetimi penal për të cilat ka vendim sekuestrimi apo në pritje të tij.
Përzgjedhja u bë për çdo qark dhe KZAZ veçmas, duke respektuar kriterin që çdo zonë të trajtohet në mënyrë të barabartë.
Nga përzgjedhja rezulton se do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor 210 kuti votimi në total.
Qëllimi i këqyrjes së mëpasshme e fletëve të votimit dhe e materialit zgjedhor është verifikimi i rregullsisë dhe saktësisë së veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave.
