Me rastin e 82-vjetorit të lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë në detyrë, Besnik Bislimi, vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit në Krushë të Madhe për të nderuar veprën dhe jetën e tij.
Kurti gjatë vizitës theksoi se Ukshin Hoti është një figurë dhe mendje e papërsëritshme.
“Aq e thellë për nga mençuria, aq e gjerë për nga dija, dhe aq e lartë për nga idetë saqë ne e kemi obligim t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë tekstet e tij në mënyrë që të ngrihemi në nivel të detyrës kombëtare dhe historike për të ecur përpara për Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar në përgjithësi”, u shpreh kryeministri Kurti gjatë vizitës.
Profesor Ukshin Hoti sot do të kremtonte ditëlindjen e tij të 82-të, por fati i tij ngelet i pazbardhur pas rrëmbimit që iu bë pas lirimit nga burgu i Dubravës gjatë bombardimeve të NATO-s.
