Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi paraqiti në Kuvend raportin mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2024.
Gjatë prezantimit, Rusi paraqiti një panoramë të punës së Këshillit gjatë vitit 2024, duke theksuar prioritetet dhe rezultatet kryesore të arritura. Rusi tha se gjatë vitit 2024 janë zhvilluar 65 mbledhje plenare në KLGJ-së për miratimin e 76 vendimeve.
Në fjalën e tij, Rusi nënvizoi se objektiv ka qenë rritja e efikasitetit të gjykatave duke marrë në konsideratë vakancat në sistem.
Për sa i përket raportimit të çështjeve të prapambetura veçanërisht në gjykatën e Apelit, Rusi tha se “nëpërmjet finalizimit dhe miratimit të strategjisë kombëtare për uljen e çështjeve të prapambetura 2024-2027, në kuadër të kësaj strategjie janë miratuar një sërë aktesh ligjore si dhe janë ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e efikasitetit dhe shërbimeve gjyqësore”.
Në raportin e tij, kreu i KLGJ dha të dhëna edhe për vitin 2025.
“Gjatë vitit 2024 janë miratuar 34 raporte vlerësimi, ndërsa gjatë periudhës 2020-2024 janë miratuar në total 190 raporte vlerësimi për 119 gjyqtarë duke vlerësuar rreth 63% të gjyqtarëve.
“Ndërsa gjatë vitit 2025, për periudhën janar-tetor, kemi vijuar po me raporte vlerësimi kemi miratuar 48 raporte vlerësimi ndërsa në total janë 145 gjyqtare të vlerësuar me 238 raporte vlerësimi”, tha Rusi.
Rusi shtoi se “rekrutimi i gjyqtarëve të rinj përmes emërimit të 32 magjistratëve të rinj, të cilët kanë përfunduar programin akademik pranë shkollës së Magjistraturës për vitin 2023-2024 ka qenë një tjetër angazhim”.
Sa i përket vitit 2025, Rusi tha se “ne së fundmi në muajin tetor emëruam dhe 42 magjistratë të rinj, të cilët përfunduan edhe betimin para pak ditësh”.
“Më qëllim plotësimin e trupave gjyqësore në gjykata, këshilli ka caktuar 66 gjyqtarë për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ato ku ushtrojnë detyrën. Për efekt të transparencës për informimin e publikut janë trajtuar 49 ankesa për të drejtën e informimit.
“Përgjatë vitit 2025 kemi caktuar 25 gjyqtar për gjykimin e çështjeve të veçanta në gjykata të ndryshme nga ato ku ushtrojnë detyrën”, tha Rusi.
Kreu i KLGJ-së shtoi se “përgjatë vitit 2025, Këshilli ka vazhduar me angazhim për rritje e transparencës ku deri tani kemi trajtuar 38 kërkesa për të drejtën e informimit”.
Sipas kreut të KLGJ-së, janë trajtuar shtatë procedime disiplinore për gjyqtarët gjatë vitit 2024 dhe pesë çështje të mbartura nga vitet e mëparshme.
“KLGJ ka vendosur dy shkarkime nga detyra, një procedim, një rast ende në shqyrtim, një rast në pritje shqyrtimi nga KPK-ja, dhe një pezullim nga detyra”, theksoi Rusi.
“Gjatë vitit 2025 kemi vazhduar me 3 procedime disiplinore, për të cilat njëra ka marrë vërejtje, një rast rrëzimi kërkesë ndërsa një rast vijon të mbetet ende në proces”, tha Rusi.
Sa i përket zbatimit të hartës së re gjyqësore, Rusi tha se “dhe pse ka kaluar një vit nga zbatimi i hartës së re gjyqësore janë vënë re disa përmirësime të ndjeshme dhe tregues kyç në sistemin gjyqësor, në shtator 20245 norma e zgjidhjes së çështjeve arritura në 96%”.
Megjithatë shtoi kreu i KLGJ-së “një faktor që ndikon negativisht është mungesa e burimeve njerëzore, e gjyqtarëve kryesisht. Rritja e numrit të përgjithshme të gjyqtarëve do të kontribuojë në përmirësimin e treguesve të eficiencë në sistemin gjyqësor”.
Në mbyllje, Rusi u ndal edhe në tri çështje kryesore, që lidhen me buxhetimin, infrastrukturën dhe sigurinë në gjykata.
“Në lidhje me buxhetimin. Në 2024 janë dhënë vetëm dy të tretat e buxhetit të kërkuar nga ana e KLGJ-së, nga këto 90% janë për paga dhe shërbime operative. 10% e tyre kanë qenë për investime kapitale dhe në 2025 e njëjta situatë rezulton. Jemi në kushte ku rreth 30% e buxhetit të kërkuar nuk miratohet nga ana e Kuvendit.
“Njëkohësisht ka qenë kërkesë për infrastrukturën, për disa gjykata, në Tiranë, Berat, Durrës, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe asnjëherë nuk janë miratuar fonde përkatëse për të zhvilluar këto.
“E treta, kanë qenë financimet për sigurinë në gjykata. I vetmi vit buxhetor kur janë miratuar fonde për sigurinë në gjykata ka qenë në 2022-shin. Edhe nëse miratohen fonde për sigurinë nëse nuk ke infrastrukturën e duhur për objektet kjo nuk mund të vihet në jetë”, tha Rusi.
