Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn.
Zyra e shtypit e ministrisë së Drejtësisë bëri me dije se temat kryesore të takimit, ishin ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
“Kënaqësi të prisja sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn. Diskutuam për ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, për ta bërë të pakthyeshëm progresin e arritur deri më tani dhe për të garantuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030”, tha Lamallari.
“Mbetemi të përkushtuar të forcojmë kapacitetet tona në institucionet e drejtësisë dhe sistemin penitenciar, si dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh. Partneriteti strategjik me SHBA dhe mbështetja e vijueshme e tyre në shumë reforma kyçe, për ne kanë një vlerë të çmuar”, u shpreh ministri Lamallari.
Edhe ambasada amerikane në Tiranë, duke njoftuar për takimin, vuri në dukje e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn takoi ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fillim të mandatit të tij të ri, duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të fortë në fusha me interes të ndërsjellë.
“Koordinimi i efektshëm me sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri është kyç për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste, një nga përparësitë kryesore të Administratës Trump”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane në Tiranë.
Ky është takimi i parë i Besfort Lamallarit me Të Ngarkuarën me Punë të SHBA-ve në vendin tonë, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë.
