Lamallari priti në takim Dumanin, reagon opozita: SPAK mund të jetë mekanizëm i propagandës së qeverisë

nga L. M

Ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka pritur sot në një takim kreun e SPAK, Altin Dumani.

Lajmi u bë i ditur nga vetë ministri Lamallari, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook, sqaron se ndau me kreun e SPAK prioritetet e ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë dhe me detyrimet e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.

Mirëprita sot në një takim drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Z. Altin Dumani.

Ndava me të prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë dhe me detyrimet e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian. Shteti i së Drejtës është themeli i Shqipërisë Evropiane.

Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe vijimi i mbështetjes për Reformën në Drejtësi mbeten prioritet absolut i qeverisë shqiptare! ”, shkruan Lamallari.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili shprehet se ‘SPAK mund të jetë mekanizëm i propagandës së qeverisë’.

“Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënia të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.

Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë.  Ç’lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?

SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston. Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë.”, shprehet Bardhi.

https://www.facebook.com/share/p/19i9XHRv4b

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More