Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, priti sot nënsekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe administratorin në detyrë të UNDP, Haoliang Xu, me të cilin bisedoi për forcimin e bashkëpunimit dhe përparimin e përbashkët drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit, ministri Lamallari vuri në dukje mbështetjen e rëndësishme të UNDP-së dhe Agjencisë së Zhvillimit Austriak në ngritjen dhe forcimin e sistemit të Ndihmës Juridike Falas, raporton ATSH, përcjell KosovaPress.
“Falë UNDP dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim ne kemi ngritur e forcuar sistemin e Ndihmës Juridike Falas. Një sistem funksional, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të qasjes në drejtësi për shtresat në nevojë duke e bërë Shqipërinë një histori suksesi në rajon për këtë fushë”, u shpreh Lamallari.
Ai theksoi se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të vijuar bashkëpunimin edhe në projekte të tjera që lidhen me drejtësinë sociale dhe gjinore, si dhe me forcimin e kapaciteteve profesionale të ofruesve të shërbimeve juridike.