Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh zëvendëskryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut, Iris Luarasi prezantoi sot, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Avokatin e Popullit”.
Në punimet e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Luarasi tha se ky projektligj ka si qëllim përmirësimin e ligjit organik për Avokatin e Popullit.
“Fokusi është në rregullimin e publikimit të raporteve vjetore të këtij institucioni, në mënyrë që të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia. Kjo nismë synon që të përmirësojë proceset e raportimit të Avokatit të Popullit, si një mekanizëm mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare”, tha Luarasi.
Sipas deputetes Luarasi, me këtë nismë synohet që raportet vjetore dhe ato të veçanta të reflektojnë në kohë punën dhe të jenë në dispozicion të publikut pa lidhur kohën e publikimit me momente të diskutimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
“Ky projektakt do të rregullojë mënyrën e publikimit të këtyre projektraporteve pa penguar pavarësinë e institucionit duke marrë parasysh që Avokati i Popullit është një institucion që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut”, pohoi Luarasi.
“Projektligji përbëhet nga dy nene, neni kryesor është ai që riformulon përmbajtjen e nenit ekzistues, atë 28 të ligjit për Avokatin e Popullit, lidhur me qartësimin e publikimit të raportit vjetor të këtij institucioni në mënyrë të palidhur dhe të pakushtëzuar me kohën e shqyrtimit të tyre në Kuvend”, theksoi ajo.
Deputeti i PS-së, Erjo Mile në cilësinë e relatorit u shpreh se nga ana juridike dhe procedurale, propozimi është në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias, i cili nxit publikimin e menjëhershëm të raporteve të institucioneve të pavarura.
“Ai buron nga detyrimi që lind nga udhërrëfyesi i shtetit të së drejtës. Projektligji synon që të shkëpusë miratimin e raportit nga momenti i debatit në Kuvend dhe të garantojë pavarësinë e Avokatit të Popullit si institucion i të drejtave të njeriut, të rrisë transparencën dhe t’i bëjë raportet e aksesueshme për publikun”, tha Mile.
Nga ana e tij, deputeti i PD-së, Ivi Kaso, në cilësinë e zëvendëskryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, u shpreh se nismat që vijnë nga deputetë janë një formë efikase e ushtrimit të funksionit të Parlamentit si i tërë, por edhe nga e komisioneve ku deputetët janë të përfshirë.
Kaso tha se përtej këtij projekakti, duhet të ketë një forcim të kritereve përzgjedhëse për një figurë të lartë dhe me përgjegjësi kushtetuese siç është Avokati i Popullit.
“Kemi vënë re zgjatje të funksionit të AV përtej mandatit, kjo ka ndodhur me Avokatin e Popullit aktual dhe njësoj ka ndodhur edhe me Avokatin e Popullit të mëparshëm”, tha Kaso, ndërsa kërkoi që të ketë një nismë dhe ndërhyrje më të thella në ligjin që rregullon zgjatjen e afatit të Avokatit të Popullit përtej mandatit.
Luarasi tha se është e udhës që të bëhen disa ndryshime me një projektligj që do ishte shterues për Avokatin e Popullit.
“Një draft është gati, po punohet me Avokatin e Popullit dhe delegacionin e BE. Ky projektligj këtë rregullon, që raportet edhe pse diskutohen menjëherë ose mbas një kohe të caktuar pranë komisioneve përkatëse, e detyron Avokatin e Popullit që ta publikojë në faqen e tij dhe publiku të jetë informuar dhe institucioni i Avokatit të Popullit të jetë transparent”, tha Luarasi.
“Drafti propozon afate kohore deri në tre muaj për raportin vjetor dhe dy muaj për raporte të veçanta. Ky ndryshim nuk e rregullon siç duhet pjesën që ka lidhje me Avokatin e Popullit, por jemi shpresëplotë që draftligji do të jetë shterues”, theksoi ajo.
Projektligji u miratua me shumicë votash pro, pa vota kundër dhe abstenim.
