Kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare të bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një diskutim të hapur me përfaqësues të shoqërisë civile, për sfidat dhe planin e saj Tirana 2030, në funksion të zhvillimit social të qytetit.
Gjatë takimit, Manastirliu vuri theksin tek roli dhe kontributi tejet i rëndësishëm i shoqërisë civile në të gjitha fushat që prekin këtë zhvillim.
“Ne mundet që të bëjmë hapa përpara sa i përket zhvillimit të dimensionit social, në funksion të zhvillimit social të qytetit, me fokus fëmijët, me fokus të rinjtë, me fokus personat me aftësi të kufizuar, me fokus gratë, vajzat, me fokus punësimin, mbështetjen, dhënien e shanseve të barabarta për çdo qytetar, me fokus komunitetet, të cilët kanë nevojë të përfshihen dhe kanë nevojë të integrohen në jetën sociale të kryeqytetit”, u shpreh Manastirliu.
Në këtë drejtim ajo theksoi nevojën e një dialogu më intensiv mes bashkisë dhe shoqërisë civile për një adresim sa më efikas të sfidave me të cilat përballet kryeqyteti.
“Besoj shumë që ajo që ne kemi bërë deri më sot, duhet që të shumëfishohet dhe të bëhet e mundur një dialog afatgjatë edhe në raport me sfidat që lidhen me Tiranën, me kryeqytetin e Shqipërisë, pra me Tiranën tonë, për sfidat që ka sot Tirana dhe mënyrën se si ne mund t’i adresojmë së bashku për të gjetur zgjidhje, të cilat të shkojnë drejtpërdrejt në mbështetje të qytetarëve”, tha ndër të tjera Manastirliu.
Më pas, përfaqësuesit e shoqërisë civile parashtruan disa prej problematikave të vlerësuara prej tyre si më emergjente dhe dhanë opinione dhe sugjerime për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe të drejtë të tyre, në dobi të qytetarëve.
