Kuvendi ka vijuar punimet e seancës plenare edhe pas mesnate me prezantimin e raportit të kreut të KLGJ.
Ndërsa mbeteshin dhe raportimet e KLGj dhe KLP, opozita kërkoi shtyrjen e seancës me argumentin se ora e vonë nuk mundësonte që raportimet dhe diskutimet të ndiqeshin nga qytetarët.
PS dhe PD u dakordësuan që të vijohej me raportimin e kreut të KLGJ, Ilir Rusi ndërsa raportimi i drejtueses së KLP, Mirela Bogdani dhe diskutimet për raportet e dy institucioneve të vijojnë në seancën plenare të së enjtes.
Gjatë seancës që nisi prej orës 10:00 të së hënës kanë raportuar drejtuesit e institucioneve të drejtësisë.
Në seancë u paraqitën të dhënat për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD).
Në fillim të seancës, deputetët miratuan edhe ngritjen e dy komisioneve me rëndësi: atë për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Territoriale.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi “Raportin përmbledhës mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024”, duke theksuar sfidat me të cilat përballet sistemi për shkak të numrit të ulët të prokurorëve pas procesit të rivlerësimit kalimtar.
Sipas Çelës, gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61.167 materiale në shqyrtim, me një rritje prej 10,5% krahasuar me vitin 2023. Janë ndjekur 47.576 procedime penale, nga të cilat 24.956 janë regjistruar për herë të parë.
Prokuroria e Tiranës regjistroi 35,5% të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi, ndërsa rritje të dukshme kanë pasur veprat për pastrim parash me 59%, falsifikim monedhash me 48%, krime doganore me 40% dhe veprimtari bankare/financiare me 33%.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi se gjatë vitit janë hetuar 33 ish-zyrtarë të lartë, prej të cilëve 19 janë dërguar në gjykatë, që përbën 52,9% të rasteve.
Totali i çështjeve për korrupsion është rritur me 8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara ka arritur në 65,5 milionë euro, një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2023.
Këto asete përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe kriptovaluta, duke reflektuar forcimin e luftës ndaj pasurive me origjinë kriminale.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, në raportimin e tij theksoi rëndësinë e pavarësisë së magjistratëve dhe profesionalizmit në përballjen me ndikimet politike apo të tjera.
“Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të kufizohet vetëm ndaj ndikimeve politike, por ndaj çdo interesi tjetër”, deklaroi Metani.
Gjatë vitit 2024 pranë ILD janë depozituar 1.491 ankesa të reja ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa 1.363 janë mbartur nga vitet e mëparshme, duke e çuar në 2.854 numrin total të ankesave për trajtim.
Nga këto, 1.374 janë shqyrtuar, ndërsa 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor.
Sipas Metanit, përveç qytetarëve, ankues gjatë vitit kanë qenë edhe institucione të sistemit të drejtësisë, përfshirë drejtues të prokurorive, kryetarë gjykatash, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Gjykatën e Lartë.
