Në një intervistë emocionuese në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Samantha Shkreli, vajza me origjinë nga Shkodra, rrëfeu eksperiencën e saj të jashtëzakonshme si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kompeticionin ndërkombëtar Miss Globe.
“Ka qenë diçka historike sepse kam qenë e para vajzë shqiptare që përfaqëson Amerikën në kompeticione për Miss,” tha Samantha, duke treguar krenarinë dhe emocionin që i shkaktoi ky moment.
Samantha u zgjodh nga organizata Miss Globe USA për shkak të angazhimit të saj aktiv në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. “Kam marrë pjesë në kompeticione që prej 7 vitesh, por më kanë zgjedhur mua sepse e dinin që mund ta përfaqësoja Amerikën në Miss Globe. Kam qenë shoqëuesja e dytë në Miss Globe, më 15 tetor,” shtoi ajo.
Një eksperiencë e mirëpritur dhe krenare
Kur u pyet për reagimet e publikut ndaj idesë që një shqiptare do përfaqësonte SHBA-në, Samantha tha:
“Jo, shumë njerëz kanë qenë të gëzuar. Amerika është vendi i emigrantëve. Edhe kur i thashë vajzave në Miss Globe që jam shqiptare, u habitën që përfaqësoja Amerikën. Askush në Amerikë nuk është 100% amerikan; të gjithë kemi rrënjë diku tjetër. Është vendi i botës.”
Ajo shtoi se ndjenja ishte e veçantë, duke përfaqësuar flamurin amerikan si një vajzë shkodrane:
“Jam amerikane nga lindja, por shqiptare nga zemra. Jam rritur me traditat dhe kulturën shqiptare, dhe jam shqiptare numër 1. Por të përfaqësosh Amerikën është diçka shumë e madhe. Në Amerikë bëj shumë punë kundër trafikimit të njerëzve, një problem shumë i madh. Më kanë thirrur edhe në Shtëpinë e Bardhë në Washington DC për këtë punë. Është një nder i jashtëzakonshëm që një vajzë e emigrantëve shqiptarë nga një vend i vogël të thirret në Shtëpinë e Bardhë.”
Eksperienca e Samanthas nuk është vetëm një sukses personal, por edhe një shembull frymëzues i bashkimit të identitetit shqiptar me mundësitë e Amerikës. Për të, kjo përfaqësim nuk është vetëm një çmim bukurie, por një mundësi për të promovuar kauzat që i interesojnë dhe për të frymëzuar të rinjtë shqiptarë kudo në botë.
 
			        
 
			        