Megaoperacion antidrogë në Elbasan, në pranga 30 shtetas dhe 14 në kërkim

nga D. V.

 Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan finalizoi megaoperacionin “First Day”, në kuadër të së cilit u godit rrjeti i shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike në këtë qark.

Në kuadër të operacionit të ndjekur me metoda speciale të hetimit prej disa muajsh, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u ekzekutuan 25 masa sigurie “Arrest në burg”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë 5 shtetas të tjerë, si edhe 1 tjetër u procedua penalisht.

Po ashtu u sekuestruan sasi lënde narkotike kokainë dhe kanabis, armë zjarri (pistoletë, kallashnikov), armë gjahu, sasi e konsiderueshme municioni luftarak, peshore, thika, përforcues grushti, steka duhani të dyshuara të kontrabanduara, laptop, tablet, DVR, targa automjetesh (shqiptare dhe belge), shuma parash në euro, paund, dollarë, franga zvicerane, 24 celularë.

Megaoperacioni policor i koduar “First Day” kishte në fokus goditjen e personave të përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, e shtrirë në kohë dhe vende të ndryshme, kryesisht pranë ambienteve të shkollave, lokaleve dhe më gjerë, në Elbasan, Librazhd, Gramsh, Cërrik, Peqin, Belsh dhe Përrenjas.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për 17 shtetas banues në Elbasan, dy shtetas banues në Peqin; pesë banues në Librazhd dhe një banues në Përrenjas.

Nga hetimi u dokumentua aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, të cilët vepronin në mënyrë të organizuar në grupe të vogla ose individualisht, në të gjithë qarkun Elbasan.

Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë pesë shtetas të tjerë për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Vijon puna për kapjen e 14 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të çdo individi tjetër të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More