Shkup, 11 korrik – Në parkun e Çairit pranë memorialit të Srebrenicës u shënua 30-vjetori i gjenocidit serb të Srebrenicës, ku mbetën të vrarë 8.372 viktima, kryesisht burra dhe djem boshnjak. Të pranishmit thanë se gjenocidi në Srebrenicë është një nga plagët më të dhimbshme të historisë së gjithë njerëzimit dhe përgjegjësisë së përbashkët si njerëz, si shoqëri dhe si institucione.
“Edhe pas 30 vitesh nga ngjarja e zymtë dhe e turpshme e Evropës, ende ka mohues të gjenocidit ndaj 8.372 viktimave, duke e quajtur atë masakër. Ne sot jetojmë në kohë të revizionimit intensiv dhe mohim të gjenocidit, madje edhe manifestim të të njëjtit dhe ndaj aktorëve. Dhe kjo nuk është e spontane, nuk është e drejtë legjitime e mendimit, si liria e fjalës, por fenomen i organizuar dhe si rezultat, kemi mohim më të madh sesa para 20 vitesh.”, – deklaroi Sellma Mandall nga Trupi Koordinues për 30-vjetorin e Srebrenicës.
“Gjenocidi i Srebrenicës është plaga më e hidhur, më e madhe në kontinentin evropian pas holokaustit të luftës së dytë botërore. Është edhe më e dhimbshme kur shohim se qarqe të caktuara në rajonin tonë vazhdojnë të mohojnë gjenocidin, vazhdojnë të zbatojnë politika negocioniste, politika revizioniste, të cilët nuk e kanë vendin në rajonin evropian, në asnjë vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, sepse mohimi i gjenocidit bie ndesh në mënyrë brutale me çdo vlerë të mundur evropiane.”, – theksoi zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
“Si kryetar i komunës së Çairit jam thellësisht i përkushtuar që këto ngjarje të mos mbeten vetëm në kujtesën e një dite. Ne në Çair do të vazhdojmë të kultivojmë një kulturë kujtese, mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë. Do të vazhdojmë të edukojmë breza të rinj që paqja ndërtohet mbi të vërtetën dhe se drejtësia nuk është opsion, por domosdoshmëri.”, – u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Gjenocidi është konfirmuar ligjërisht nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (Tribunali i Hagës) dhe Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës. Deri më tani, 54 persona janë dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera në Srebrenicë, me një total prej 781 vjetësh burg. Pesë janë dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në vitin 2007 që Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë, ndërsa Serbia u shpall përgjegjëse për dështimin në parandalimin e gjenocidit.
