Nga burgu 313 në Tiranë, aty ku qëndron i izoluar prej 3 muajsh, Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK Altin Dumanin. Me anë të një audio-mesazhi duke përdorur hapësirën që i jep ligji për një telefonatë nga qelia, Meta i kërkoi qytetarëve të rrëzojnë me votë qeverinë.
“Ilir Metën nuk e largon nga politika as Rama, as Dumani, askush, do të zgjidhem deputet nga qytetarët e Shqipërisë, por edhe ata që do të votojnë kudo në diasporë. Ju kërkoj të shumëfishoni përpjekjet tuaja, që t’i japim fund kësaj drame dhe të arkivojmë këtë Rilindje, që ishte drama më e madhe për popullin shqiptar. Kauzat tona janë të shenjta për popullin shqiptar”, tha kreu i PL-së.
Meta i kërkoi mbështetësve të shumëfishojnë përpjekjet për zgjedhjet e 11 majit ndërsa e vuri theksin te 5 prioritetet e programit të Partisë së Lirisë.
“Partia e Lirisë ka 5 prioritete kyçe, që nga ai për 4 milionë shqiptarë plus. Ne do ta ndalojmë shpopullimin, duke ulur taksat dhe nënat me dy ose më shumë fëmijë, duke garantuar kredi për çifteve të reja. Do garantojmë transport falas për pensionistët. Do të mbështesim fermerët. Ne duam që Shqipëria të kthehet në fuqi prodhuese”, tha Meta.
Më herët, Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i bëri thirrje diasporës që të marrë masivisht pjesë në votime.