Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar në lidhje me projektin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, duke akuzuar Komunën dhe ndërmarrjen “Termokos” për mungesë vullneti dhe angazhimi.
Në një postim në Facebook, Murati tha se Qeveria e Kosovës ka siguruar financim prej 80 milionë eurosh për këtë projekt, me qëllim që të zgjerohet rrjeti i ngrohjes për 38 mijë banorë në disa lagje të kryeqytetit.
“Me financimin prej 80 milionë eurove që Qeveria ia ka siguruar Komunës së Prishtinës dhe Termokosit, ka qenë e paraparë që të rritet kapaciteti si dhe të zgjerohet rrjeti edhe për 38 mijë banorë në lagjet Tophane, Kalabri, Lakrishte, Muhaxherë dhe Prishtina e Vjetër,” ka shkruar Murati.
Ai shtoi se kanë kaluar dy vite që nga vënia në dispozicion e fondeve, por projekti ka stagnuar për shkak të, siç tha ai, “mungesës së vullnetit dhe angazhimit serioz nga ana e Komunës dhe Termokosit.”
“Kjo edhe njëherë e dëshmon që nuk bëhet fjalë për bllokada nga qeveria siç propagandohet, përkundrazi,” theksoi Murati.
Sipas tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po përpiqet të arsyetojë mosrealizimin e punëve.
“Mos-punën e vet Përparim Rama duhet ta arsyetojë disi. Por votuesi e ka kuptuar këtë tashmë,” shkroi ministri.
Në fund, Murati apeloi se Prishtina nuk duhet të humbasë edhe katër vite të tjera me stagnim e arsyetime.
“Prishtina nuk ka hesap me i humbë edhe 4 vite tjera me stagnim e arsyetime,” përfundoi ai.
