Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është hapur këndi i produkteve të punuara nga gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku qytetarët që udhëtojnë përmes këtij aeroporti mund të blejnë artikuj të ndryshëm artizanalë të punuar nga to, raporton Ekonomia Online.
Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vlerësuar se hapja e këtij këndi në një vend kaq simbolik është një akt historik në mbështetje të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës.
“Siç e keni parë, ne sot zbuluam këndin e shitjeve mu këtu në aeroportin e Prishtinës, që ka qenë një veprim jashtëzakonisht i mirë, një veprim historik ta themi, jo vetëm për përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe për shënimin e 25-vjetorit të themelimit apo të inaugurimit të Rezolutës 1325 që ka të bëjë me gratë, paqen dhe sigurinë. Ky projekt nuk do të ishte realizuar pa ndihmën dhe përkrahjen e njerëzve. Nga sot e tutje, i kemi këto produkte që janë punuar nga duart e arta, nga ato që unë i quaj heroinat e gjalla të Kosovës, sepse përderisa ne të gjithë qytetarët e Kosovës kemi gëzuar lirinë tonë, kemi gëzuar pavarësinë tonë, ende këto gra dhe këta burra që janë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës ballafaqohen me pasoja të thella që ata dhe ato kanë përjetuar gjatë luftës”, tha Jahjaga.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se ky projekt ka një vlerë të veçantë shpirtërore dhe ekonomike për gratë e mbijetuara të luftës, ndërsa theksoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë këtë nismë.
“Si ambasadë turke dhe si kompani të Turqisë dhe Kosovës, ne do të jemi të lumtur dhe krenarë që jemi pjesë e këtij projekti kaq të rëndësishëm dhe me domethënie. Nga Drenasi dhe Gjakova, gratë që dikur ishin viktima të luftës, falë mbështetjes së Fondacionit Jahjaga, mund të gjejnë një lloj qëllimi shpirtëror, para së gjithash. Dhe së dyti, që është po aq e rëndësishme sipas mendimit tim, ato mund të gjejnë një mundësi për të marrë mbështetje financiare për punën e bukur që të gjithë e shohim këtu. Mendoj se kjo flet më shumë se fjalët. Prandaj, si ambasador, si ambasadë, si kompani të Turqisë, ne do të jemi krenarë dhe të lumtur për këtë mundësi. Së pari, dua të falënderoj zonjën Jahjaga, por gjithashtu dua të falënderoj kompaninë Limak si operatorin e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Edhe ata janë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm”, tha ai.

