Nënshkruhet marrëveshja, reduktohet në 15 ditë koha për pajisjen me dokumente biometrikë

nga D V

Shkurtohet ndjeshëm koha dhe procedurat e aplikimit për pajisjen me dokumenta biometrike për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”.

Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi bëhet e mundur që të përgjysmohet koha e aplikimit dhe marrjes së pasaportës për diasporën shqiptare. Thënë ndryshe, tani çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë kufijve të vendit nuk do t’i duhet më 30 ditë për t’u pajisur më pasaportë, por kjo kohë reduktohet me 15 ditë.

Hasani u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshje do të reduktohet me 50% koha e nevojshme për pajisjen me dokumente biometrikë.

Duke e cilësuar këtë marrëveshje si një avancim tjetër në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, Hasani u shpreh se, “shkurtimi i kohës për marrjen e pasaportës nga 30 ditë në 15 ditë është një dëshmi e hapave konkretë të ndërmarrë për modernizimin dhe thjeshtimin e procedurave për shërbimet kaq të rëndësishme për qytetarët shqiptarë kudo ku ndodhen, të cilët mbeten prioriteti dhe qendra e vëmendjes së shërbimit konsullor të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

“Përgjysmojmë kohën e shërbimit, përgjysmojmë pritjen e gjithë qytetarëve shqiptarë, shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të marrë dokumentet e vendit të tyre, për të marrë identifikimin e një marrëdhënieje të cilën ata e kanë me vendin e origjinës”, tha ai.

Hasani falënderoi ministrin Hoxha dhe drejtuesen e Identitek, “jo vetëm për vëmendjen, por edhe për fleksibilitetin maksimal në mënyrë që këto afate të jenë gjithnjë e më të pakta. Nga 30 të shkojnë në 15 ditë”.

“Kam përshtypjen që të gjithë ata që do të aplikojnë jashtë vendit, këtë shërbim do ta ndjejnë menjëherë dhe do të jenë të qartë dhe të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për të realizuar sa më shumë angazhimin që kemi marre përsipër.

“Jemi gjithmonë në shërbim të shtetasve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve tanë, kudo ku janë dhe përpjekja nuk mbaron këtu”, tha ai

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha deklaroi se, “sot është një ditë e shënuar për të gjithë votuesit shqiptarë, të cilët do të aplikojnë për pasaportë dhe për kartë identiteti jashtë vendit. Aktualisht ne kemi nënshkruar një marrëveshje midis Identitetik, MEPJ dhe MB. Kjo procedurë e cila më përpara ka qenë me një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë ajo shkurton 15 ditë këtë afat, i cili do t’i krijojë lehtësira në aplikim të gjithë shtetasve shqiptarë që do të aplikojnë jashtë shtetit për kartë identiteti dhe pasaportë”.

“Këtu hyjmë në një standard të ri të gjithë teknologjisë. Standard i cili kërkon risi. Sot ne po aplikojmë këtë standard për herë të parë, ku do të kemi mundësi që në vazhdim bashkë me strukturat e tjera të gjendjes civile, Identitek, do të organizojmë zgjedhjet e diasporës”, tha Hoxha.

Hoxha apeloi të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit që të aplikojnë sa më shpejtë për kartat e identitetit dhe të shohin kartat e identitetit dhe pasaportat e tyre për vlefshmërinë e tyre dhe afatet e skadimit.

Drejtuesja e kompanisë Identitek, Freskida Halilaj u shpreh se, “kjo risi ka në thelb nënshkrimin elektronik. Pra konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike format e aplikimit për të bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë shumë më të shkurtër, pra në një kohë të përgjysmuar, duke lehtësuar në këtë mënyrë të gjithë procedurat e aplikimit dhe duke rritur efektivitetin dhe efiçencën e operacioneve tona”.

“Kjo risi ka në thelb një zhvillim teknik, për të cilin kemi qenë shumë të fokusuar dhe të angazhuara dhe vjen në vazhdimësi të të gjitha përpjekjeve për të dixhitalizuar shërbimet që Identitek ofron”, tha ajo.

“Në vazhdimësi të iniciativave për të qenë më afër Diasporës në prag të procesit zgjedhor në bashkëpunim me MEPJ, jemi duke hartuar një kalendar për të vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrikë. Grupet tona mobile do të punojnë me kapacitete të shtuara”, tha Halilaj.

“Për sa i përket datave përkatëse kur ne do të vizitojmë vendet evropiane apo SHBA-të, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë”, theksoi ajo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More