Nga mesnata fillon fushata për Zgjedhjet lokale 2025

nga Redaksia

Shkup, 28 shtator – Prej sot në mesnatë fillon fushata 20-ditore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, të cilat do të mbahen më 19 tetor (raundi i dytë më 2 nëntor).

Zgjedhjet lokale më 19 tetor të këtij viti do të jenë të tetat që nga pavarësia e vendit, kurse të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, ka gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave komunale me gjithsej 10.490 kandidatë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në një seancë të premten, e përfundoi Listën e votuesve, në të cilën janë të regjistruar gjithsej 1.832.415 votues.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko kumtoi se sipas evidencës së organeve kompetente të drejtë vote kanë gjithsej 112.000 votues të cilët janë në punë të përkohshme ose qëndrim në vendet e huaja,  2.162 votues të cilët janë në vuajtje të dënimit me burg ose në paraburgim dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.

Konntrolli i listës së votuesve zgjati 20 ditë, gjatë të cilave qytetarët me të drejtë vote mund të kontrollonin të dhënat e tyre dhe të kërkonin korrigjime.

Në të gjithë vendin do të votohet në 3.480 qendra votimi. Sipas Listës së votuesve në 132 qendra votimi ka më pak se dhjetë votues,  për të cilët votimi do të zhvillohet në qendrën më të afërt të votimit.

Buxheti total për zgjedhjet lokale të vitit 2025 është 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë para të destinuara për mediat dhe reklamat e paguara politike. Përveç këtyre parave, është edhe shuma për kompensimin e anëtarëve të bordeve zgjedhore dhe transportin dhe shpërndarjen e anëtarëve të BZ-së dhe të materialit zgjedhor nga KKZ-ja deri në qendrat e votimit ku do të zhvillohet votimi, pasi këto i sigurojnë vetëqeverisjet lokale. 

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Brenda Qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të përbashkëta me Qytetin. Zgjedhjet i shpall kryetari i Kuvendit duke miratuar një akt të publikuar në Gazetën Zyrtare. Zgjedhjet mbahen jo më herët se 70 dhe jo më vonë se 90 ditë nga data e shpalljes së zgjedhjeve.

Zgjedhje lokale në Maqedoni janë mbajtur në 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More