Nika: Shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë arsye të konvertohen kur Shqipëria po bën hapa të shpejtë drejt BE-së

nga D. V.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, deklaroi sot se shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë 5% të numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Në fjalën e tij në panelin me temën: “Shqiptarët në rajon – identitet i përbashkët evropian: Fuqizimi i zërave rajonalë në rrugën drejt BE-së”, i cili u mbajt në kuadër të konferencës 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë që nisi sot punimet në Tiranë, Nika theksoi se shqiptarët në Mal të Zi luajtën një rol kyç në momentin e shpalljes së pavarësisë së shtetit të Malit të Zi, pasi faktorët shqiptarë e mbështetën këtë pavarësi, duke besuar se një Mali i Zi i pavarur dhe i shkëputur nga Serbia do të kishte mundësi më të mëdha për integrim në Bashkimin Europian.

Pavarësisht angazhimit të shqiptarëve, Nika vuri në dukje se ka pasur herë pas here ngecje në procesin e integrimit euroatlantik të Malit të Zi.

“Ka herë pas here edhe ngecje për shkak se faktori politik shqiptar atje është në unison, sa i përket integrimit euroatlantik, por ka faktorë të tjerë në Mal të Zi që nuk e mbështesin dhe aktualisht janë pjesë e strukturave udhëheqëse të shtetit atje”, theksoi Nika.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me diplomacinë shqiptare, duke nënvizuar se Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi ka ndihmuar në hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Ulqin, dhe financimin e projekteve të ndryshme për ndihmën e shqiptarëve në këtë vend.

“Në vlerësim të bashkëpunimit me përfaqësitë diplomatike, vërejmë vëmendje të veçantë për bashkëpunim të Tiranës me shqiptarët në Mal të Zi. Disa muaj më parë u hap Konsullata e Shqipërisë në Ulqin dhe kemi bashkëpunim të afërt me këtë institucion”, tha ai.

Ai theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes së të rinjve shqiptarë në Mal të Zi për arsimimin në Tiranë apo Prishtinë.

“Ne po punojmë së bashku me autoritetet e Shqipërisë për të ndihmuar që më shumë shqiptarë nga Mali i Zi të mund të ndjekin studimet në Shqipëri, dhe kërkojmë që të lehtësohen procedurat për aplikim, duke u bazuar në modelin e Kroacisë, ku kroatët nga Mali i Zi mund të përfitojnë bursa për të studiuar në Kroaci”, theksoi Nika.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve për lëvizjen e lirë të mallrave dhe qytetarëve midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Në këtë moment, ku objektivat strategjikë të Shqipërisë dhe Malit të Zi janë integrimi në familjen europiane, duhet të punojmë paralelisht dhe të integrohemi mes njëri-tjetrit, qoftë përmes arsimit, pikave të reja kufitare, etj. Pika e vetme për qarkullim mallrash është ajo e Hanit të Hotit, që ishte edhe në sistemin e kaluar. Është momenti dhe nevoja të hapen pika të reja për qarkullimin e mallrave, pasi ky qarkullim është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit. Projekti që promovuan dy kryeministrat, Rama dhe Abazović, për një lidhje të re mbi Bunë do të lehtësonte shumë qarkullimin e turistëve. Do të krijonte mundësi për më shumë turizëm në Shqipëri dhe Ulqin dhe do të lehtësonte edhe pikën kufitare në Muriqan, e cila gjatë sezonit turistik ka fluks të jashtëzakonshëm dhe bëhet barrierë për lëvizjen e udhëtarëve dhe turistëve. Pasi ajo pikë kufitare ishte projektuar për 500-1000 kalime, sot ajo kalon 35 mijë kalimtarë. Ajo kalon 3 milionë pasagjerë përgjatë vitit që udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin, ndaj duhet parë mundësia për pika të reja kufitare”, deklaroi Nika.

Nika theksoi nevojën për mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës, në mënyrë që të mund të adresohen problemet e vazhdueshme që ndodhin.

“Ky është një shqetësim real për shqiptarët në Mal të Zi. Ndaj, ne kërkojmë mbështetje nga shteti shqiptar dhe Kosova, për të ndihmuar në këtë sfidë dhe për të krijuar mundësi për të ruajtur identitetin tonë kombëtar. Shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë arsye të konvertohen në grupe të tjera etnike, sidomos kur Shqipëria po bën hapa të shpejtë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ne duhet të jemi krenarë për identitetin tonë dhe të mbrojmë gjuhën dhe kulturën tonë, pasi këto janë themelet e ekzistencës sonë dhe pasojat e humbjes së tyre do të ishin të rënda”, theksoi Nika. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More