Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pezulluar dekretin e presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore më 9 nëntor në Tiranë. Vendimi u mor pasi Erion Veliaj ankimoi shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, raporton A2CNN.
Veliaj u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, me arsyetimin se kishte munguar në punë. Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit të këtij viti, pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.