Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të enjte gjashtë persona, pasi nuk kanë kallëzuar një vjedhje me dhunë, të kryer në orët e para të mëngjesit të së hënës, në një lokal tek bulevardi i Kasharit, në pronësi të shtetasit F. S
Sipas raportimeve, janë arrestuar shtetasit F. S., 49 vjeç, H. K., 44 vjeç, T. K., 29 vjeç, A. N., 41 vjeç, L. M., 45 vjeç dhe S. K., 49 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e lokalit, u gjetën dhe u sekuestruan, si prova materiale, tre kompjuterë dhe një tavolinë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Sakaq, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
